E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, një polic për 370 banorë

10/04/2005  Në tre muaj janë arrestuar 323 autorë veprash penale

TIRANË- Policia e Tiranës zbulon 33 krime të vjetra me natyrë vjedhjeje, ndërsa ato të vrasjeve ende mbeten mister. Analiza 3-mujore e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë nxori në pah disa nga goditjet e fundit kundër kriminelëve e bandave të organizuara. Ndërkaq u vlerësua së tepërmi ndryshimi strukturor i komisariateve nga vetë drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi dhe zv.drejtori i Përgjithshëm i Policise së Shtetit, Dashnor Kaja.

Ndryshimet

Sipas zëdhënëses së Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, ky ndryshim është një progres i rëndësishëm, i mirëpritur nga faktorë të ndryshëm dhe me rezultate të prekshme. Përveç sukseseve të pamohueshme, të arritura përgjithësisht nga ndarja e saktë e komisariateve, ku tashmë është përllogaritur që një polic ka në mbikëqyrje 370 banorë, policia e Tiranës publikon edhe disa raste që kanë nevojë të "gjurmohen", pasi kriminaliteti sa vjen e rritet në metropolin shqiptar. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se në Tiranë janë evidencuar gjithsej 769 vepra penale dhe janë zbuluar 468 prej tyre. Në këtë veprimtari kriminale dhe keqbërëse janë implikuar gjithsej 541 autorë, ku në sajë të masave të marra janë arrestuar në kushtet e flagrancës 323 persona. Duke nisur nga krimet kundër personit, përmendet identifikimi i autorit të vrasjes së Servet Isollarit, i cili është Fitim Poga, vrasësit e biznesmenit Vladimir Arizaj, Nik Dedndreaj e Artur Guxhaj dhe sqarimi i rrethanave të vrasjes së Enver Rabijes te rruga "Don Bosko", ku u arrestuan edhe Marjo Hasani, Elsvis Perthi dhe Ardian Llapushi.

Kundër personit

Përsa u përket krimeve kundër pasurisë, sipas policisë, numrin më të madh e zënë vjedhjet e pronës të të gjitha llojeve, në veçanti vjedhjet e automjeteve, të lokaleve të tregtisë, banesave dhe vjedhjet e tjera në ambiente të hapura. Në lidhje me këtë sektor janë goditur gjatë këtij 3-mujori grupi i Kreshnik Berishës, Sazan dhe Fatbardh Hakës, me aktivitet kriminal në vjedhjet me armë ndaj shtetasit Reshit Beja, të cilët grabitën 8 milionë lekë. Berisha, sipas policies, ka vjedhur me dhunë dy kambistë në Kamëz në vitin 2000, vepër penale e kryer në bashkëpunim me Petrit Lleshin (i arrestuar) dhe Ervin Belbën. Qendra Operative dhe Emergjencës, ka marrë 972 telefonata, nga të cilat 821 kanë qenë të sakta, ndërsa seksioni i policimit në komunitet ka prodhuar 19.934 pasaporta për shtetas, të cilët kanë aplikuar. Zv.drejtori Kaja vlerësoi punën dhe kërkoi të rritet më shumë kërkesa e llogarisë dhe cilësia e informacioneve si dhe bashkëpunimi midis sektorëve të Policisë Kriminale, Rendit dhe Qarkullimit Rrugor.

Trafiku

Gjatë kësaj periudhe janë kapur 15 raste të trafikut, shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe janë zbuluar 14 prej tyre, pjesëmarrja aktive në operacionin “Liqeni 4”, goditja e kontrabandës së floririt, ajo e celularëve dhe cigareve në qytetet Kavajë dhe Tiranë si dhe rasti i mashtrimit në përpjestime të mëdha në ngarkim të shtetasit Arben Lika.

Armët

Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë ka ndjekur me përparësi masat për grumbullimin e armëve dhe municioneve luftarakë, duke grumbulluar 527 armë dhe 38.500 municione të ndryshme dhe krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2004, ku janë mbledhur 220 armë të ndryshme, del se sasia e armëve të grumbulluara për vitin 2005 është rritur në 2.4 herë. Krime kundër personit

Kanë ndodhur 129

Janë zbuluar 112

Vrasje të ndodhura 8

Vrasje të zbuluara 6

Vrasje në tentativë 20

Të zbuluara 18

Krimi i organizuar

Të evidentuara 172 krime

Të zbuluara 171 krime

Të implikuar 185 autorë

Të arrestuar 111 autorë

Krime kundër pasurisë

Të evidentuara 450

Të zbuluara 167

Numri më i madh vjedhje prone

Krime të vjetra

Janë zbuluar 33

Vjedhje lokalesh 10

Grabitje banesash 14

Vjedhje makinash 6

Grabitje me armë 1

Të tjera 2

Aksidentet

Kanë ndodhur 68

Të vdekur 11

Të plagosur rëndë 24

Të plagosur lehtë 46

Janë ndëshkuar 53.533 kundravajtës

Janë bllokuar 244 mjete

Janë pezulluar 1116 leje drejtimi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›