E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshimi, i njëjti organizator për tri ngjarjet që goditën Lamajn

17/04/2005  Policia heton për lidhje të mundshme mes dy atentateve ndaj Vajdinit dhe tritolit te “Venecia”

Prokuroria dhe policia po hetojnë për një lidhje të mundshme mes atentatit ndaj Vajdin Lames dhe shpërthimit të tritolit dy ditë më parë te shkallët e pastiçeri “Venecias”, që është pronë e kësaj familje. Kjo, pasi nga aktekspertimi i vendit të ngjarjes është konkluduar që eksplozivi të jetë hedhur te shkallët e këtij lokali, që është pronë e familjes Lame. Policia ka hedhur dyshimet se, kjo ngjarje mund të jetë një kërcënim për Lamet, të cilëve jo më shumë se një muaj e gjysmë më parë iu ekzekutua i dashuri i tyre, biznesmeni Vajdin Lame, ish-president i Federatës së Boksit. Gjithashtu, policia dyshon që të fshihet e njëjta dorë prapa të tri ngjarjeve. Hetimi për vendosjen dhe shpërthimin e eksplozivit te “Venecia” po drejtohet nga Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Ndërsa ende nuk është bërë e mundur të identifikohen personat që kryen aktin.

Kërcënimi

Policia e kryeqytetit dhe Prokuroria ka hedhur dyshimet se shpërthimi i eksplozivit dy ditë më parë te “Venecia”, mund të ketë lidhje me dy atentatet kundër Vajdin Lames. Pritet që dosja hetimore për këtë ngjarje t’u bashkohet dy të tjerave. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime të Policisë së Tiranës, të cilat sqaruan se është konkluduar zyrtarisht, se objekt i eksplozivit ka qenë bar-pastiçeri “Venecia”. Burimet pohojnë se po hetohet mbi shkakun e këtij shpërthimi, që dyshohet të jetë një kërcënim ndaj familjes Lame. Ato shtojnë se pritet që kjo ngjarje t’u bashkangjitet dy atentateve ndaj Lames. Kjo, pasi dyshohet që shpërthimi i dy ditëve më parë të ketë qenë vazhdimësi e goditjes së familjes Lame. Por, ende policia dhe prokuroria nuk ka arritur të gjejë motivin e këtyre ngjarjeve, apo të paktën një person të dyshuar, theksojnë burimet. Ndërkaq, mësohet se shpërthimi i dy ditëve më parë te “Venecia” po hetohet edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka në dorë dy dosjet e atentateve. Kjo për shkak të dyshimit të lidhjes mes ngjarjeve dhe kompetencës së kësaj prokurorie për shpërthimet e lëndëve plasëse.

Hetimi

Hetuesit e Prokurorisë dhe Policisë kanë marrë në pyetje të gjithë personat e mundshëm të dyshuar për dijeni mbi ngjarjen. Por duket se askush nuk ka qenë dëshmitar i ngjarjes së mëngjesit të së premtes rreth orës 04.30. Policia ka arritur të sigurojë vetëm një dëshmi të vakët prej rojeve të objekteve përreth. Burimet pohuan dje se, njëri prej personave të pyetur ka pohuar se një autoveturë, të cilës nuk kishte arritur t’i fiksonte as targat apo ndonjë detaj tjetër, ka ndaluar dhe dikush ka hedhur te shkallët një send, që më pas ka shpërthyer. Por ai u ka deklaruar hetuesve se nuk ka arritur ta shquaj siluetën e personit që ka hedhur eksplozivin, thonë burimet. Sipas policisë kryeqytetase, dyshohet që të jenë të njëjtët organizatorë që kanë goditur tri herë me radhë familjen Lame, ku dy herë ka qenë viktima ish-presidenti i Federatës së Boksit, ndërsa para dy ditësh u dëmtua një pjesë e pastiçeri “Venecias”, që mendohet të jetë një kërcënim. Ndërkaq, në vendngjarje nuk është arritur të gjendet ndonjë gjurmë e autorëve, të cilët, ashtu si atentatorët e Lames, mbeten të paidentifikuar. Re.Kro

Dy atentatet ndaj Vajdin Lames në të njëjtën dosje

Pas atentatit të 27 shkurtit, ku mbeti i vdekur biznesmeni i njohur Vajdin Lame dhe shoku i tij, Artan Arsi, u hodhën dyshimet se kishte lidhje me ngjarjen e ndodhur në tetor të vitit të kaluar te TVA-ja. Policia dhe Prokuroria siguruan prova, në të cilat u bazuan këto dyshime. Sipas burimeve të policisë kryeqytetase, dyshohet se pas të dy atentateve fshihet e njëjta dorë. Por, ende nuk është arritur të identifikohet ndonjë person konkret i dyshuar si autor i këtyre ngjarjeve. Më 16 tetor të vitit të kaluar, teksa dilnin nga televizioni “TVA”, pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë, mbetën të plagosur me armë zjarri Vajdin Lame dhe inxhinieri Xhevahir Ngjeqari. Autorët, pasi derdhën 24 plumba automatiku, u drejtuan për te “Shkolla e Kuqe”, ku braktisën autoveturën tip “Opel Vectra” dhe e dogjën më pas. Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale disa gjurmë gishtërinjsh, që dyshoheshin të ishin të autorëve. Por nga krahasimi i tyre me ato të skeduarve nga policia dhe të dyshuarve për ngjarjen, nuk korrespondoi asnjë e ngjashme. Pas ekzekutimit të Vajdinit, të dy dosjet u bashkuan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›