E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cigaret kontrabandë,prositës një i tretë

01/04/2005  Pronari i anijes u shpall i ndaluar të mërkurën, ndërsa të enjten në kërkim

DURRËS – Një person i tretë, ende i paidentifikuar nga policia, fshihet pas sasisë së cigareve kontrabandë të bllokuara dy ditë më parë në një magazinë në Shkozet të Durrësit. Kështu kanë deklaruar dje burime të policisë lokale në këtë qytet.

Ndërkohë, zyrtarisht policia nuk e ka konfirmuar këtë, ndërsa drejtues të saj janë shprehur të kënaqur me faktin e bllokimit të cigareve dhe ndalimin e ekuipazhit, duke demonstruar indiferencë për pronarin e ngarkesës.

I treti

Duke u përpjekur „të zbulojnë“ paksa nga identiteti i porositësit të mallit, burimet e policisë së Durrësit bëjnë të ditur se, ndërkohë që kjo sasi malli e padeklaruar është sekuestruar në magazinat e Shkozetit, pronë e Fatmir Zotaj, cigaret janë transportuar për llogari të një personi të tretë. Gjithnjë sipas deklarimeve të tilla, mësohet se transportuesit e mallit janë paguar për kryerjen e transportit, ndërsa dikush tjetër është marrë me procedurat e ngarkimit në det të hapur, deri në magazinim, duke garantuar ekuipazhin, por edhe pronarin e anijes se skenari i përgatitur ishte i mirëdetajuar dhe malli nuk do të binte në dorën e policisë.

Një dyshim i tillë, bëhet edhe më i besueshëm kur shihet se, ndërsa zyrtarisht, policia ka dhënë emrat e të arrestuarve, efektivë të ekuipazhit të anijes, burimet zyrtare nuk kanë konfirmuar pronarin e mallit, duke u mjaftuar me sekuestrimin dhe me faktin që duhet të jenë ata që kanë transportuar e magazinuar cigaret, tashmë të ndaluar, do të duhet të japin para drejtësisë emrat që janë të implikuar në këtë kontrabandë, mes të tjerave edhe emrin e pronarit të mallit.

Ngarkesa

Cigarët e sekuestruara në portin e Durrësit, pas një operacioni, mësohet se janë ngarkuar në det të hapur.

Burime të sigurta të portit të Durrësit, bëjnë të ditur se anija “Eni”, me pronarë Fatmir Zotaj, ka udhëtuar drejt Izmirit të Turqisë pa ngarkesë më datë 26 mars 2005. Pronari dhe kapiteni i anijes, kishin deklaruar destinacionin Durrës–Izmir (brigjet turke), ku anija do të ngarkonte grurë në kthim dhe ngarkesa pritej të vinte pas disa ditësh udhëtim. Por anija, vetëm tri ditë më pas, pikërisht më 29 mars 2005 ka hyrë në kalatën nr.7 të portit, rreth orës 03.00, duke shkarkuar 7 kontenierë me 5000 koli cigare kontrabandë.

Burime të policisë thanë se anija “Eni”, që drejtohej nga kapiteni Bilal Koçi, nuk ka vënë në dijeni autoritetin portual për futjen në akuariumin e portit dhe kjo është cilësuar e qëllimshme dhe në kundërshtim me rregullat.

Gjithashtu bëhet e ditur se kapiteni i anijes ka deklaruar, se shkak për kthimin e parakohshëm në kalatat e Durrësit është bërë një defekt, ndërkohë që ai kishte deklaruar se anija është kthyer përsëri bosh, duke fshehur mallin.

Të implikuar

Policia, megjithë pretendimet për informacion të mundshëm, që dispononte se anija “Eni”, mëse një herë kryente kontrabandë cigaresh, nuk ka mundur të bllokojë natën e shkarkimit këtë sasi, e cila brenda natës u transportua për në magazinat e firmës “Zotaj Trading Co”, duke kapërcyer gjatë turnit të tretë në dy pikat hyrëse të portit dhe në postbllokun nr.4, që shërben për dalje nga porti.

Ndërkohë, krahas implikimit të mundshëm të policisë, e cila ka bërë “të verbërin” natën e daljes së ngarkesës nga porti, dyshime bien edhe për implikim të punonjësve të portit e doganave.

Burime të portit të Durrësit, bëjnë të ditur se cigaret janë shkarkuar me anë të një vinçi në të gdhirë të datës 30 mars 2005, në portin e Durrësit dhe policia pohon se malli është transportuar për në Shkozet pa zbardhur dita.

Përpunimi i mallit është bërë pa qenë e pranishme antikontrabanda e Tiranës, ndërsa magazinimi i saj është bërë pa dijeninë e strukturave doganore dhe të autoritetit portual në Durrës.

Në praktikën e portit të gjithë kamionët që shërbejnë për transport futen në pikën dalëse, kurse hyrja nr.1 shërben vetëm në raste shumë të rralla për autoritete shtetërore, ndërkohë që në hyrjen nr.2 lejohen të futen në port vetëm autovetura. Pronarët e mallit, sipas burimeve jozyrtare, mund të kenë shfrytëzuar edhe njërën nga hyrjet në port, por gjithçka do t’i përkasë hetimeve.

Nga 11 zbret në 7 numri i të ndaluarve

Arrestohet ekuipazhi i anijes “Eni”

Lirohet dhe shpallet në kërkim pronari i anijes “Eni“, i cili një ditë më parë, u shoqërua nga policia si pronari i cigareve kontrabandë të bllokuara në një magazinë të Shkozetit. Të vetmit të prangosur dje nga policia e Durrësit, si të implikuar në kontrabandë cigaresh, janë efektivët e ekuipazhit të anijes “Eni“.

Dje, mediat e shkruara dhe elektronike, duke iu referuar burimeve të policisë, deklaronin shoqërimin në polici të Fatmit Zotaj, ndërsa dje policia njoftoi zyrtarisht se ai është shpallur në kërkim, bashkë edhe me kapitenin e anijes.

Kontrabanda e 5000 kolive me cigaret e markës “Aura”, “Karela Slims”, “Kingston”, “Rothmans” dhe pjesa më e madhe “Marlboro” të sekuestruar nga policia e Durrësit në magazinat e firmës së pronarit Fatmir Zotaj, ka vënë në pranga të gjithë ekuipazhin e anijes 1700 tonëshe “Eni”.

Ditën e kryerjes së operacionit, policia ndaloi 11 shtetas, të gjithë banorë të Durrësit dhe krahas marinarëve kishte edhe persona të afërt të pronarit.

Por, pas hetimeve paraprake, Prokuroria e Durrësit ka lëshuar fletarresti vetëm për ekuipazhin e anijes, që ka qenë i pranishëm në transportin e mallit, si dhe për agjentin e përpunimit dhe menaxhimit të mallrave në firmën e Zotajt. Policia, arrestimin e tyre e ka mbështetur në faktin, se kapiteni i anijes, Bilal Koçi, 59 vjeç, si dhe ekuipazhi janë bashkëpunëtorë në trafikun e paligjshëm. Mosdeklarimi i mallit si dhe transportimi i tij në fshehtësi nga porti i Durrësit në drejtim të magazinave në Shkozet ka vënë para akuzave së bashku me gjashtë anëtarët e ekuipazhit edhe agjentin detar Gentian Koçi (djalë i kapitenit të anijes), ndërsa është shpallur në kërkim Fatmir Zotaj, i datëlindjes 1961, banues në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit.

Shtatë të ndaluarit akuzohen për bashkëpunim në transportin e mallit kontrabandë, i cili i është shmangur detyrimit doganor duke shkaktuar evazion fiskal në vlerën 1.5 milionë dollarë

Të ndaluar

Bilal Koçi, kapiteni i anijes

Gentian Koçi, menaxher

Petrit Cila, oficeri i parë

Ligor Todi, marinar

Hamdi Peza, marinarë

Gëzim Çyrbja, kuzhinier

Adrian Gokaj, mekanik

Sekuestrimet

2.5 milionë

paketa cigaresh

1 Volksvagen

autoveturë me targa DR 4343 D

1 Benz

autoveturë me targa DR 7647 C

10 mijë euro

“pronë” e menaxherit

PD denoncon Kryeministrin Nano, për fshehjen e provave

“Cigaret të Nard Kokës, magazina e Agron Dukës“

TIRANË - Partia Demokratike ka akuzuar dje ministrin e Bujqësisë, Agron Duka, si dhe Nard Kokën, si të implikuar direkt në kontrabandën e cigarave, të bllokuara para dy ditësh.

Zëdhënësi i PD, Edi Paloka, deklaroi se magazinat në Shkozet, ku strehoheshin cigaret kontrabandë janë në pronësi të ministrit Duka, ndërsa malli me vlerë rreth 7 milionë dollarë është i Nard Kokës, vëllai i kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka. “PD informon publikun se punonjës të doganave, antikontrabandës, të Ministrisë së Rendit dhe shërbimeve të tjera kompentente, pohojnë në unison se shtatë kontenierët e cigareve, janë pronë e Nard Kokës, kurse magazinat në të cilat ishin fshehur janë pronë e ministrit të Bujqësisë, Agron Duka“, tha Paloka.

Demokratët nga ana e tyre akuzojnë edhe Kryeministrin Nano se po punon për të fshehur provat mbi pronësinë e vërtetë të mallit kontrabandë.

“Që prej kapjes së mallit, Fatos Nano, nëpërmjet njerëzve në shërbim të tij, Shpëtim Idrizi dhe Igli Toska, po bën të gjitha përpjekjet për të fshehur pronësinë e vërtetë të mallit kontrabandë, po ashtu dhe të magazinave, në të cilat ishte fshehur“, tha Paloka.

Për PD, kapja e mallit kontrabandë ka ardhur pas informacioneve të shërbimeve sekrete nga vendet e tjera. Sipas deklaratës, malli kontrabandë i kapur ditën e mërkurë është vetëm maja e ajzbergut të kontrabandës.

“PD deklaron se konteinerët kontrabandë, që kanë kaluar sistemin e doganave dhe janë vendosur në magazinat e Dukës në Shkozet, janë vetëm maja e ajzbergut të kontrabadës që drejton klani i Zemunit, i cili me urdhër të Shpëtim Idrizit e ka kthyer dhe Portin e Durrës si një port privat. PD ka informacione të sigurta se autoriteteve shqiptare u janë dorëzuar dosje voluminoze për veprimtarinë kriminale të këtij klani brenda dhe jashtë vendit, por këto dosje janë bllokuar të gjitha prej Kryeministrit Fatos

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›