E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitarët braktisin masakrën e Qafë- Gjashtës

Autori i Lajmit: red.
Dëshmitarët okularë të masakrës së Qafë- Gjashtës pohojnë se nuk do të paraqiten më në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të dëshmuar. Shkak është bërë shtyrja e seancës për të disatën herë, pasi avokatët e të pandehurve nuk marrin pjesë në seancë dhe për rrjedhojë dëshmitarët nuk mund të japin deklarime. Me pretendimin se kanë udhëtuar disa herë nga Saranda në Tiranë, rruga ka kosto, ata pohuan se nuk paraqiten më në gjykatë. Ndërkohë që dje pritej që para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda të flisnin dëshmitarë okularë për ngjarjen e rëndë të vitit 1997 në Sarandë, e njohur si masakra e Qafë-Gjashtës, procesi u shty për shkak të mungesës së avokatëve. Vendimi i kryesuesit të grupit, për shtyrjen e seancës për javën e ardhshme, ka sjellë dhe reagimin e gjashtë dëshmitarëve për t u paraqitur sërish para togave të zeza të mërkurën e ardhshme ka shkaktuar debate në sallë. Dy prej dëshmitarëve që kishin ardhur nga Saranda disa herë për të dëshmuar, thanë se nuk vijnë më në gjykatë, pasi sipas tyre, nuk kanë mundësi ekonomike. Mungesa e avokatëve është bërë shkak që edhe procese të tjera të rëndësishme të shtyhen pikërisht gjatë dëgjimit të dëshmitarëve okularë ose të penduarve të drejtësisë duke mbajtur kështu peng procesin. Në gjyqin ndaj të pandehurve të bandës së Lushnjës, 10 dëshmitarë të kësaj çështjeje u rebeluan për shkak se kishin ardhur disa hërë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, por nuk kishin arritur të dëshmonin. Dosja e njohur si masakra e Qafë-Gjashtës ka dhjetë të pandehur që akuzohen për ngjarjen e 4 marsit 1997. Aty mbeti i vrarë polici Gjergj Mehmeti, ndërsa polici tjetër Eduard Alia, u torturua dhe u mbajt peng për disa ditë me radhë.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›