E Diel, 1 Nëntor 2026

Cikloni "Perez" trondit futbollin: Të krijojmë Superligën europiane

Florentino Perez ka shkaktuar një ciklon që tronditi nga themelet futbollin europian dhe atë botëror. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për merkaton dhe rritjen e konsiderueshme të çmimit të futbollistëve. Pavarësisht kërkesave për "fair play financiar" nga kreu i UEFA-s, Mishel Platini, presidenti i Realit të Madridit po punon që të krijojë Superligën e Europës, një aktivitet ku marrin pjesë klubet më të mëdha, që do të organizohet edhe në rast se federata kontinentale nuk do të hapë "dritën jeshile". Gazeta "The Times" raportoi komentet e bëra nga Perez për një radio spanjolle. "Duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët për krijimin e Superligës Europiane, e cila do t‘u garantojë skuadrave më të mira që të luajnë gjithmonë kundër rivaleve të tyre elitare. Kjo gjë nuk ndodh në Ligën e Kampioneve, ku në mjaft raste ekipet kryesore nuk arrijnë të ndeshen ndërmjet tyre", nënvijëzoi "Don Florentino". Nëse UEFA nuk do ta shndërrojë Champions-in në mënyrë që aktiviteti prestigjioz të jetë i përafërt me projektin e biznesmenit iberik, sipas të përditshmes angleze, presidenti i Realit është i gatshëm të promovojë një kampionat të mbyllur, ku do të luajnë vetëm skuadrat më të mëdha. Synimi i Perez nuk është të zëvendësojë kampionatet kombëtare, por garancia se për çdo sezon "big"-ët europianë do të marrin pjesë në një aktivitet elitar.

Tashmë 62-vjeçari kërkon një takim me presidentin e UEFA-s, për të diskutuar rreth ndryshimeve të mundshme në formatin e trofeut më të rëndësishëm për klube në Europë që të ndryshojë ose të shqyrtohet mundësia për krijimin e Superligës. Në fund të viteve ‘90, Milani udhëhoqi një tentativë serioze për të krijuar Ligën Europiane, por UEFA u kundërpërgjigj duke rritur numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Champions, nga kampionatet më të fortë si Seria A, La Liga dhe Premiershipi. Aktualisht, Platini nuk duket i shqetësuar nga ideja e Perez: "Nuk mendoj se bëhet fjalë për një kërcënim", ishte komenti i legjendës së futbollit francez. Lista e mundshme e Superligës me 16 skuadra është: Real Madrid, Barcelona, Atletiko Madrid, Mançester Junajtid, Çelsi, Liverpul, Arsenal, Inter, Milan, Juventus, Bajern Mynih, Lion, Porto, Sëlltik, Rejnxhërs dhe Olimpiakos.

Edhe pse flet për plane afatgjata, që kërkojnë edhe miratimin e klubeve të tjera, Florentino Perez nuk harron të përfundojë Realin "Galaktik II". Mediat britanike kanë zbuluar një tjetër ofertë multimilionere për numrit 1 në "Santiago Bernabeu". Ai është i gatshëm të paguajë 47 milionë euro, plus kartonët e Arjen Roben dhe Uesli Shnajder për yllin e Bajernit të Mynihut, Frenk Riberi. Në total, vlera e ofertës me të cilën Perez shpreson të bindë drejtuesit e klubit gjerman, kap shifrën 64 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›