E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani, takim me trajnerin Zhupa për të vendosur të ardhmen e Partizanit

Përpara emërimit në krye të stolit të Partizanit, trajneri Eduard Zhupa do të zhvillojë edhe një takim të fundit me presidentin Albert Xhani. Deri të martën, palët do të takohen kokë më kokë, për të përcaktuar drejtimin që do të ndjekë skuadra e kuqe gjatë sezonit të ardhshëm. Një temë e rëndësishme është zyrtarizimi i Zhupës dhe përcaktimi i stafit me të cilin ai do të punojë. Por, më e rëndësishmja është padyshim pjesa e bisedës që lidhet me skuadrën e re: largimi i kapitenit Orges Shehi drejt Kavajës ishte padyshim goditja më e madhe. Ndërkohë, spekulimet për futbollistë të tjerë që do të largohen dhe emra që shihen si përforcime nuk kanë munguar. Pikërisht në bisedën ndërmjet Xhanit dhe Zhupës pritet të marrë formë edhe ekipi me të cilin "demat" do të zbresin në fushë në edicionin 2009/2010. Afrimet e kualiteteve do të varen edhe nga kategoria ku do të militojnë kryeqytetasit. Komiteti Ekzekutiv ende nuk ka përcaktuar datën e saktë të mbledhjes ku do të vendoset nëse Kategoria Superiore do të vazhdojë me formulën me 12 skuadra, apo numri i pjesëmarrëseve do të rritet në 16. Drejtuesi i të kuqve ka bërë të ditur se pavarësisht aktivitetit ku skuadra do të luajë, do të synohet qëndrimi i të gjithë atyre lojtarëve që ishin në kontingjent një vit më parë, e që ende nuk kanë lidhur kontrata me klube të tjera. Më tej Xhani do të synojë blerjen e emrave të njohur në ambientet e klubit, por më parë pritet që ashtu si ka premtuar, ai "të hapë thesin", për të paguar faturat e prapambetura dhe blerjet e reja. Në anën tjetër, Zhupa kërkon që Partizani të fillojë përgatitjet brenda kësaj fundjave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›