Juventus gjen akordin me D‘Agostinon
Katër vjet kontratë, me rrogë bazë 1.5 milionë euro në sezon: Juventusi ka arritur akordin me Gaetano D‘Agostinon, e tashmë është në pritje të mbyllë marrëveshjen edhe me Udinezen. Në parakontratën që i është dorëzuar avokatit të lojtarit, Paolo Rodela, parashikohet që rroga të kapë shifrën 2 milionë euro, në bazë të objektivave personale dhe rezultateve të skuadrës. Vetëm pak orë më parë dukej se bisedimet u prishën, por "ofensiva" e Alesio Sekos, i cili bëri të ditur se klubi bardhezi nuk do të paguante 18-20 milionë euro, ishte e efektshme. Familja Poco, që zotëron Udinezen, ndodhet në një thikë me dy presa dhe mund të vendosë të ulë çmimin, në vend që ta mbajë mesfushorin tek Udineze kundër dëshirës së tij. Juve u konfirmoi menaxherëve të D‘Agostinos se mbeten të interesuar për shërbimet e tij, madje janë të gatshëm të rrisin ofertën fillestare. Klubet mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për 15 milionë euro: 14 që do të përfundojnë në arkat e klubit dhe gjysmën e kartonit të Paskuatos. Sot ose nesër Seko pritet të takohet me drejtorin e përgjithshëm të Udinezes, Serxho Gasparin, për marrëveshjen përfundimtare. Gjithsesi, është normale që në Torino të planifikojnë edhe alternativa të tjera, nëse D‘Agostino nuk transferohet. Drejtori sportiv i bardhezinjve ka filluar bisedat edhe me menaxherët e Ledezmës dhe Felipe Melos, për të vlerësuar situatat e këtyre lojtarëve. Por, të dy kushtojnë: madje kartoni i Melos vlerësohet 25 milionë euro. Ndërkohë, kompania braziliane "Traffic" ofroi mesfushorin e ri të San Paolos, Hernanes, opsion që drejtuesit juventinë e hodhën poshtë.