“Cilësia e jetës”, Bregu: Lamë pas vendet e rajonit
Zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu vlerësoi dje raportin e publikuar nga revista ekonomike “Cilësia e Jetës”, sipas së cilës Shqipëria ngjitet nga vendi i 75-të që ishte një vit më parë në vendin e 66-të nga 194 vende të botës. “Në këtë vlerësim Shqipëria lë pas vende në rajon si Maqedonia, që mban dhe statusin e vendit kandidat për në BE, Serbia, Bosnja Hercegovina. Që nga lufta kundër korrupsionit, klima e biznesit, lufta kundër varfërisë, reforma fiskale të cilat së bashku kanë si qëllim të vetëm përmirësimin e cilësisë së jetës”, tha dje Bregu gjatë konferencës për shtyp. Indeksi i cilësisë së jetesës, botuar në revistën ekonomike “Cilësia e Jetës” që përfshin të gjithë faktorët që ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës në vend, siç janë: kostoja e jetesës, taksat, mjedisi, shëndeti, infrastruktura, kultura e argëtimit, etj. “Qeveria shqiptare përshëndet çdo vlerësim objektiv ndaj reformave të ndërmarra gjatë këtyre viteve , të prekshëm së brendshmi , e të konfirmuar nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë, e sigurt se tendenca për të nxirë dhe mohuar zhvillimin e vendit i përket vetëm vetmitarëve të vjetër të politikës së re”, theksoi më tej Bregu.