E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Konkurrencë dhe meritë në arsimin e lart

 

Aristir Lumezi

Universiteti Evropian i Tiranës ftoi në një auditorium, për reformat në arsimin e lartë, kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Në këtë auditorium Rama u shpreh se të gjithë janë të vetëdijshëm për cenimin e vazhdueshëm që i bëhet dy shtyllave kryesore që janë konkurrenca dhe merita. Sot e gjithë ditët nuk kemi një sistem universitar që të garantojë konkurrencën, qoftë midis universiteteve, qoftë midis studentëve, qoftë midis pedagogëve dhe profesorëve e kështu me radhë dhe as që të garantojë meritën që t’i japë secilit atë që meriton. Rama ka theksuar domosdoshmërinë konkurrencës dhe meritës, jo vetëm mes studentëve, por në çdo hallkë të sistemit arsimor. “Ne kemi nevojë të japim arsimin e detyrueshëm të gjithëve. Ne kemi nevojë të çojmë drejt arsimit të mesëm të gjithë, por kemi nevojë që t’u tregojmë të gjithëve se rruga për të shkuar më tej është një rrugë e konkurrencës dhe e meritës”, u shpreh Rama. kreu socialist gjatë fjalës së tij i vuri rëndësi edhe çështjes së gjetjes së orientimit për të gjithë studentët duke krijuar modele të qëndrueshme referimi për të rinjtë. “Ndërkohë që ata që nuk shkojnë dot më tej nuk kanë pse t’i hedhin tutje investimet e prindërve, por duhen orientuar drejt arsimit profesional për të marr një zanat. Në të gjithë këtë sistem zinxhir sot dhe gjithë ditën mungon sensi i orientimit. Nuk ka asnjë pikë referimi për prindërit dhe për nxënësit. Ka vetëm fjalë pas fjale, rast pas rasti, mundësi pas mundësie, një çorganizim të organizuar nga vetë nevoja e njerëzve për të marrë arsim. Kjo duhet të ndryshojë”, tha Rama. Më tej kreu socialist u ndal edhe në vendimmarrjen e re që qeveria e majtë që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Edi Rama ka premtuar se çdo vendim që do të ndërmarrë në qeverisjen e pas 28 qershorit do ta bëjë në konsultim me grupet e interesit, edhe në fushën e arsimit privat apo publik. “Kur unë them që ne duam të bashkëqeverisim qoftë fshatin, qoftë sistemin shëndetësor apo qoftë konkretisht sistemin tonë arsimor, unë nënkuptoj që i kemi të gjitha mundësitë që të mos humbasim tjetër kohë të çmuar dhe mos të bëjmë gabime të përsëritura për shkak të mungesës së komunikimit dhe dialogut me botën tuaj. Jam i bindur që me një qeverisje e cila do të ketë parim themelor dialogun me përfaqësuesit e të gjitha grupeve të interesit, ne mund të bëjmë transformime që sot duken të paimagjinueshme në një njësi kohe shume të shkurtër”, tha Rama. Takimi i Kryetarit të PS Edi Rama ka vazhduar në bashkëbisedim të lirshëm me studentët e këtij universiteti privat, ku nuk kanë munguar batutat dhe interesi i tyre ka qenë mjaft i lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›