Listat, Koçi: PS-PD privatizuan sistemin
Kryetari i PSV 91 Petro Koçi deklaroi dje se hartimi i listave të kandidatëve për deputetë në PS dhe PD vërtetoi edhe njëherë procesin e privatizimit të sistemit politik në vend. “Nga privatizimi i partive po shkojmë në privatizimin e parlamentit. Jo më në zgjedhjen e tij, por në emërimin e tij. Të dyja listat i karakterizoi politika e përjashtimit dhe jo ajo e gjithëpërfshirjes. Opinioni publik duhet të kuptojë se pas përjashtimit politik fshihet epshi i përjashtimit social dhe ekonomiko-financiar të qytetarëve”, tha Koçi. Sipas tij, klasa politike po del jashtë kontrollit të qytetarit të thjeshtë. “Nën justifikimin e kriterit teknokratik, në shërbim të interesit personal të kryetarëve, është anashkaluar kriteri politik. Të mos harrojmë që Kuvendi është një institucion politik në radhë të parë dhe pastaj teknokratik”, tha Koçi. Duke krahasuar Kuvendin e vitit 1996, i cili kishte në përbërje të tij teknokratë, Koçi tha se “kishte vërtet personalitete të fushave të ndryshme profesionale, por anëtarët e atij kuvendi, në një numër të konsiderueshëm, nuk përfaqësonin personalitet politik, prandaj ai kuvend mbetet kuvendi më i zi i historisë tonë pluraliste parlamentare pas vitit 90”, tha Koçi.