E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse u vra Xhovani Falkone

Zamir Poda 

17 vjet më pas dhe megjithatë mbeten kujtimet dhe historia rreth madhështisë së këtij njeriut të thjeshtë por me një temperament mjaftë “të vështirë” – Xhovani Falkone, jeta e të cilit ishte shembull i pasionit për punën, për detyrën, për të vërtetën, për drejtësinë. Ndër shumë kujtime mbetet një frazë e vogël që prokurori Falkone përsëriste shpesh, një frazë e thjeshtë, por tmerrësisht komplekse, e qartë dhe me një madhështi tragjike: Unë jam thjesht një shërbëtor i shtetit, deri në vdekje. Dhe i tillë mbeti deri në fund. Xhovani Falkone, një hetues intelektual në sensin më të pastër, një hetues me aftësi dhe vizion për një punë të jashtëzakonshme, do të shndërrohej në objektivin kryesor të asaj që do të quhej gërshetim ndërmjet pushtetit kriminal dhe atij politik.
Shpesh respektohej dhe lëvdohej në publik nga vetë ata persona që punonin në mënyrë të palodhur pas shpinës së tij. I konsideruar jashtë Italisë si një simbol pozitiv i institucioneve italiane, ai jetonte brenda këtyre institucioneve si një individ i papranueshëm dhe i pabesueshëm.
Xhelozia ndaj tij do të vazhdonte me “lojën” për ta penguar të merrte detyrën e Shefit të Hetuesisë pranë Prokurorisë së Palermos. Një “lojë” e treguar disa herë me të gjithë personazhet dhe interpretuesit e saj: një prokuror i moshuar që ishte i bindur të kandidonte në atë vend, duke shfrytëzuar avantazhet që jepte mosha e madhe dhe ndërhyrjet; një “mik” prokuror, i cili atë kohë ishte Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe që më pas, do të thirrej si “Juda” nga prokurori Paolo Borselino pas masakrës së Kapacit (vendi ku u vra Falkone); disa “ideologe” të një shoqate magjistratësh; disa politikane tepër të fuqishëm pas kuintave dhe më në fund, pothuajse një hakmarrje për suksesin e maksiprocesit (Vendimi përfundimtar i procesit më të madh kundër Cosa Nostres hetuar prej tij, dhënë pak ditë para mbledhjes së KLD), një humbje që do të digjte shumë. Shef i Hetuesisë pranë Prokurorisë së Palermos do të zgjidhej pikërisht një individ në prag të pensionit dhe jo Falkone. Jo ai që kishte arritur rezultate të shkëlqyera; jo ai që kishte sakrifikuar aq shumë. Dhe më pas, një politikan – mafioz, sikundër del nga libri “Misteret e Addauras” te Luka Teskaroli (Prokurori që hetoi vrasjen e Falkones), do të komentonte i kënaqur se “ja arritëm ta delegjitimonim”.
Megjithatë, siç shprehet studiuesi Nando Dalla Kieza, do të gaboheshin ata që shikonin pas veprimit të gjatë të delegjitimimit, vetëm gërshetimin pervers të pushtetit politik dhe atij kriminal, sepse kundër Falkones për të krijuar helmin e madh dhe të pafund, vepronin të gjithë ata që përfaqësonin veset dhe meskinitetin më të natyrshëm. Pa mëshirë, pa menduar për rolin e tij dhe për rreziqet para të cilave ai ekspozohej dhe vepronte. Ishte zilia e shumë kolegëve që e përtypnin shumë keq famën e tij, prestigjin e tij të fituar me një punë “masakruese”, të cilët realizonin pastaj fushata denigrimi dhe izolimi për të. Dikush me pabesi dhe dikush me një konformizëm sa për sy e faqe. Ose më tej akoma ishte (faqe kjo me dhimbshmja) integralizmi i disa sektorëve të lëvizjes antimafie, që në vend të ndërmerrte hapat për të mbështetur me maturi të madhe hetuesin më të ekspozuar ndaj krimit të organizuar, bënte të kundërtën për ta penguar dhe izoluar.
Janë shumë pasazhe të sjella në librin e përmendur, të marra nga personazhe kyç, që tregojnë idenë e kontekstit në të cilin ky hetues kandidat me vdekjen duhet të vepronte, duke kërkuar në të gjitha rastet ndaj vetes dhe në legalitetin e institucioneve forcën dhe dritën e nevojshme për të vazhduar punën.
“Më kanë kryqëzuar”, do t’i thoshte një mikut të tij hetues. “Ti nuk e kupton se unë tashmë jam kthyer në një kufomë ambulante”, do t’i thoshte motrës Maria. Dhe shumë fraza të tjera akoma, të gjitha për të shprehur vetëdijen drithëruese për atë që e priste dhe hidhërimin e pafund për padrejtësitë e pësuara, pa marrë parasysh atë fat.
Ishte një histori me të vërtetë dramatike, jeta e këtij njeriu, që goditjen e parë të fuqishme e mori me atentatin që u tentua të kryhej në Addaura në datën 21 gusht 1989, ku ai ishte izoluar për t’u përgatitur rreth maksiprocesit. Shumë mendojnë, madje me arsye, se pjesa më dramatike e ekzistencës së Xhovani Falkonës ishte pikërisht fundi i tij, me honin e pafund në autostradën që të çon nga Punta Raisi në Palermo pranë Kapacit (ku ai gjeti vdekjen). Por sipas studiuesit Nando Dalla Kieza, pesha më e rëndë e padrejtësisë njerëzore rëndonte mbi Falkonen në vitet kur i shfaqej me të gjithë madhështinë e tij profesionale. Sepse drama e delegjitimitetit të një njeriu që do të duhet të ishte mbrojtur dhe respektuar si askush, ishte “përndjekur” në mënyrë të pamëshirshme dhe të gjatë nga një kalvar i pafund laik.
Kundër tij lëviznin mafiozët dhe i gjithë moçali i shoqërisë italiane. Të parët e urrenin për vdekje me një urrejtje të pashërueshme. Të dytët të bezdisur nga ajo se çfarë kërkohej të bënin si rrjedhojë e veprimeve që kryente një hetues, i cili në objektivin e tij kishte thjeshtë kryerjen e detyrës. Prej këtu, nga dëshira dhe nga interesat që rridhnin për të goditur prestigjin e tij, vijnë akuzat e “Korbit” (letër anonime), ndër të cilat mbi të gjitha ajo se kishte “pilotuar” një vrasës – të penduarin Salvatore Kontorno, të cilin e kishte kthyer nga Sicili për të goditur Korleonezët (grupi më i fuqishëm brenda Cosa Nostras). Ishin akuza qe shtriheshin edhe kundër të tjerë hetuesve të suksesshëm, si Xhani Dë Xhenaro (ish shefi i Policisë italiane) dhe Antonio Manganeli (Shefi aktual i policisë italiane), që atëkohë bashkëpunonin në hetimet me Falkonen, duke i ushqyer me një shkathtësi të madhe strategjike nëpërmjet burimeve informative më të besueshme.
Është një histori dramatike e përshkruar në librin e përmendur “Misteret e Addauras”, nënvizon studiuesi Dalla Kieza. Sepse të veçantat e atentatit të dështuar ndaj Falkones në datën 21 gusht 1989, do të përfshiheshin në një intrigë të madhe nacionale misteresh dhe aleancash te errëta. Tritoli, zhdukja e provave që do të bënin të mundur ecjen përpara te hetimeve, dëshmitë e rreme, hijet e institucioneve të kompromentuara (Më pas do të fillonin hetimet për Bruno Kontraden, ish shef i shërbimeve sekrete në Palermo për bashkëpunim me Cosa Nostran, i cili është gjykuar dhe deklaruar fajtor deri në Gjykatën e Kasacionit).
Nuk është e rastit që vetë Falkone do të thoshte se atentati ndaj tij në Addaura ishte përgatitur nga “mëndje të rafinuara”. Sipas reflektimeve të tij, nuk ishte mëndja e Toto Riines apo ndonjë tjetri. Ishin mëndje të familjarizuara ne historinë e masakrave dhe mistereve: ato që janë gjetur në mënyrë të saktë për dhjetëra vjet ne kryqëzimet e përgjakshme të historisë nacionale. Mëndje që nuk mund të mbeteshin jashtë asaj që do të ndodhte disa vjet më vonë: vrasja e Falkones dhe Borselinos, apo masakrat e ndodhura në Rome, Milano dhe Firence. Në të gjithë Italinë. Mëndje të ambientuara të drejtonin me dije të plotë nxitjet dhe kundërnxitjet që ndikonin vullnetin e qeverive.
Sipas prokurorit Luka Teskaroli ( autor i një libri te dytë të titulluar “Përse u vra Xhovani Falkone”), Xhovani Falkone u vra para se gjithash për tre arësye. E para lidhej me ndjenjën e hakmarrjes që frymëzonte majën e Cosa Nostras. E dyta, në perspektive, ishte e karakterit parandalues. Kërkohej të bllokohej veprimtaria e mëtejshme e Falkones. E treta do te kuptohej, në se “Masakra e Kapacit” vendosej në hapësirën më të madhe të projektit terrorist dhe eversiv që u vu në jetë në dyvjeçarin 1992-1993 ne Itali. Një plan i ngjashëm, i konceptuar dhe i përpunuar me pjesëtarë të shtresës politike, të biznesit, të financave dhe me sektorët e devijuar të institucioneve, nëpërmjet marrëveshjeve preventive dhe/ose shantazhit terrorist.
Falkone ishte simbol i luftës kundër krimit të organizuar. Ai ishte prototipi i hetuesit, një person i qetë, i ekuilibruar, i ndërgjegjshëm që mënyra më e mirë për të arritur të vërtetën ishte kryerja e detyrës pa paragjykime. Ai ishte i pari hetues që arriti të marrë pohime nga të penduarit, duke futur në hetimet kundër krimit të organizuar filozofinë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Hetimet në vend, por edhe në bashkëpunim me prokurorët amerikanë e zviceranë, si “Pizza Conection”, “Iron Tower” etj, kanë lenë gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës krimit të organizuar. “Falkone ishte nga ato të rrallat qenie njerëzore - ka thënë ish shefi i tij Kaponeto - që qielli në raste të caktuara dërgon në një vend që nuk e meriton”.
Dhe çështja është tërësisht e mbyllur mbas këtij gjykimi të goditur dhe, mbi ketë “gjykim-pohim”, kjo “krijesë e rrallë”, në mënyrë progresive, ishte e veçuar nga të tjerët (mbi të gjitha nga armiqtë e tij të deklaruar), si një individ që nuk kishte rivale për hetimet kundër Mafies. Ai gjithë jetën e tij ishte në qendër të “objektivit”, ishte një njeri i bindur, si Xhon Kenedi, që “shpejtonte” të çonte nga fillimi deri në fund pikërisht detyrën e tij, cilado qoftë sakrifica që do të duhej të përballonte. Vrasja e Falkones do të shërbente të kuptoheshin shumë gjëra. Për Shtetin italian, për Mafien, për jetën e jashtëzakonshme dhe të vuajtur të një hetuesi të madh.
Pas vrasjes së Falkones, por dhe Borselinos do të niste një cikël i ri dhe i lartë  i impenjimit të shtetit, që filloi me arrestimin e Toto Riines, Giovani Bruskes, Benedeto Santapaoles, Leoluka Bagareles, Bernardo Provencanos, Salvatore Lo Pikolos, e shume mafiozëve të tjerë.  E megjithatë, sikundër thotë në librin e tij Prokurori Luka Teskaroli, duhet të vazhdohet të punohet jo vetëm sepse ky është një detyrim ligjor, por sepse është kujtimi i Xhovani Falkones dhe ndërgjegjja kritike e morale e shoqërisë civile që detyron këtë detyrë. Pa të vërtetë nuk ka drejtësi. Dhe për të shkuar përpara ka gjithmonë kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›