E Diel, 1 Nëntor 2026

Llogoret e grave

Elsa Ballauri 

Hyrja e grave në politikë është një nga temat më të ndjeshme të vetë politikës në të gjithë botën. Le të mos mendojmë se ky është një problem i vështirë shqiptar dhe se “ne” jemi kështu dhe “bota” është ndryshe. Ne jemi vërtet kështu, por për arsyet që duhet t’i themi, t’i analizojmë, t’i njohim dhe t’i riparojmë. Një natë më parë, në emisionin “Opinion”, ishin ftuar përfaqësuese-gra të disa partive politike Mundohesha të përmbahesha që të mos përmbysesha në të njëjtën ndjesi të shëmtuar që më la përpara disa javëve biseda e të rinjve në po të njëjtin emision. Mendoj që ja dola, madje gjeta frymëzim të mendoj se cilat janë në fakt problemet që na e bëjnë jetën politike më të komplikuar... “Gratë në politikë”, hyri si një slogan i një aksioni të tipit revolucionar dhe filloi të zhvillohej në po të njëjtin shtrat, pra pa u kujdesur se ku do të arrinim. Që në fillim, kishte dy alternativa, ndofta jo mirë të pozicionuara, por unë preferoj t’i quaj dy minirryma që u shfaqën herë pas here në opinionet e mediave. E para: gratë duhet të përfaqësohen me një shifër të aprovuar, siç ishte ajo e 30%, kjo ishte një mundësi për t’i bërë ato të angazhoheshin dhe për t’i afruar në politikë. E dyta ishte se ato duhet të përfaqësohen sepse e meritojnë dhe jo sepse duhet. Në një vëzhgim më të thellë, personalisht kam qenë gjithmonë me alternativën e dyte, kam preferuar vlerat kundrejt fasadës së domosdoshme. Por vërtet erdhi një moment në arritjet e politikës dhe jetës shqiptare që kërkoi një tjetër alternativë: politikë pa ose me gratë. Ku janë ato, cilat janë ato, a do t’i njohim ndonjëherë ato....Nuk ishin pyetje të përsëritura burrash për hir të aleancave dhe mbarëshkuarjes politike, por ishin pyetje të dosmosdoshmërisë të kohës.….
Vendimi i burrave, devijoi padashje atë që duhej të formohej si një filozofi serioze dhe me përmbajtje të madhe. Historia e shoqërisë njerëzore ka treguar se gështenjat shijojnë më shumë kur dalin nga zjarri me duart e vetë atij që kërkon t’i hajë ato. Historia e grave të suksesshme është afatgjatë në ato vende ku ato kanë luftuar vetë, janë përleshur dhe përpjekur vetë, kanë sakrifikuar vetë.
Aktualisht në Shqipëri kemi një luftë dhe përpjekje të tillë në disa sfera, atë të shoqërisë civile, atë të biznesit, të artit, etj. Këtu gruaja është formuar me personalitetin e saj interesant dhe të pakthyeshëm dhe po të vëmë re me kujdes, pikërisht në këto sektorë, ajo nuk përflitet dot, nuk merret dot nëpër këmbë, nuk anashkalohet dot. Këtu gruaja, është gruaja dhe ajo duhet të nderohet. Në politikë ajo ndjehet akoma e huaj, ndjehet e sforcuar, e panatyrshme dhe merr pasojat e lojës që bëhet rreth saj. Në Shqipëri kjo quhet lojë burrash, ose lojë përjashtuese dhe ajo bie në çarkun e kësaj loje. Gruaja është aktualisht përballë një dileme të fortë: të jetë nën presionin e skemës burrërore të ngritur deri tani, apo të kapërcejë tutje nga kjo skemë. Të qëndrojë në llogoret politike që kanë krijuar politikanët meshkuj dhe liderët dhe të mbetet servile e tyre, apo të krijojë “llogoret” e veta ku të marrë frymë dhe të mendojë për strategjinë e krijimit të personalitetit të saj politik. Do të ishte një mrekulli nëse kjo e dyta do të ndodhte, por ama, kjo e dyta kërkon kohë, eksperiencë, maturi, vullnet, përkushtim, analiza, dashuri për idealin dhe misionin që ke marrë, dashuri për njerëzit. Për fat të keq, në raportin e saj me politikën, gruaja nuk e ka pasur kohën e duhur këto tipare. Vetvetiu, ajo s’ka kohë të mendojë se si duhet të modelohet figura e saj, le të përngjasohet me modelin tradicional të burrit dhe të udhëheqësit, ta imitojë atë, t’i bindet atij, ta ndjekë atë. Në këtë rast, asaj i humbet përsëri shansi të konfigurohet.
Në bisedën e mbrëmshme nuk kishte vend ta ndjeje veten mirë. Nga njëra anë kishte militantizëm instinktiv për të qenë në binarët e duhur të partisë (normale përsa kohë je në parti, do ndjekësh rregullat e saj), por kjo për fat të keq nuk kishte asnjë nuancë origjinale të të menduarit dhe asnjë bindje se ato që thuhen, ndjehen dhe nuk përsëriten në mënyrë mekanike. Nga ana tjetër, kishte një mungesë të shëmtuar etike dhe me dhimbje të dilnin përpara syve disa ambiente mes pallatesh, ku shpesh gra pa nivel kulturor mund të zihen dhe t’i thonë fjalën e fundit njëra-tjetrës, sidomos duke hyrë në jetët e tyre personale. Kishte një përpjekje për të treguar shifra dhe kishte edhe një kundërshtim slloganor. Tek gratë e reja në politikë ndjehej mungesa e vetëpërmbajtjes. Ishte ndryshe sjellja e Kryemadhit në këtë rast, e cila kishte sigurinë e përvojës në politikë.
Duke qëndruar larg politikës falë “aftësisë” së burrave (politikanë dhe jo politikanë) dhe falë pasigurisë së saj, gruaja nuk ka një model politik që mund ta ndjekë, i vetmi është modeli i grave-burra të kohës së totalitarizmit.
Por, pavarësisht nga shija jo e mirë që mu krijua pasi ndoqa debatin, mendoj se gjithmonë duhet të ketë një fillim. Fillimi ynë u bë i pamenduar mirë, por ja që kjo ndodhi.
Le të jemi pozitivë dhe të kujdesshëm, sepse negativizmi ekstrem do ta rrëzonte trenin që në stacionin e parë.
Në se e gjithë kjo eksperiencë e trishtuar do të këtë një reflektim të mençur nga ana e grave, patjetër do të vijë dita që do të kemi gra politikane të mençura. Le të shpresojmë më të mirën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›