Fier, nga xhelozia i pret damarët gruas shtatzënë
FIER/ MAJLINDA RAMA
Tenton të vrasë gruan shtatzënë, duke i prerë damarët me thikën e kuzhinës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e vonë të së premtes në qytetin e Fierit. Protagonist i kësaj historie ka qenë çifti Zotaj, banor i lagjes “Sheq i madh”. Mësohet se 44-vjeçari Elmaz Zotaj, pas një sherri banal me të shoqen, ka tentuar t’i presë asaj damarët me anë të një thike që e mbante në kuzhinë. Zanafilla e kësaj grindjeje ka qenë në orët e para të mëngjesit. Dy bashkëshortët nisën të debatonin ashpër mes tyre, derisa burri kishte dalë nga shtëpia. Pasi është kthyer në shtëpi rreth orës 17:30, ai ka tentuar të sqarohet me të shoqen. Sipas policisë, ky sqarim ka pasur si synim verifikimin nëse e shoqja e tradhtonte 44-vjeçarin ashtu si ai dyshonte. E shoqja, Suzana e ka kundërshtuar fort akuzën. “Nuk na mjafton që jemi të varfër, por duhet të merremi edhe me këto poshtërsia!”, mësohet të ketë bërtitur e shoqja. Por acarimi momental i Suzanës i ka rritur edhe më shumë dyshimet Elmazit, ndërsa e ka marrë gruan zvarrë nëpër shtëpi, duke e dhunuar fizikisht derisa të dy janë gjendur te kuzhina. Aty 44-vjeçari ka parë thikën dhe në gjaknxehtësi e sipër e ka rrëmbyer atë me qëllim goditjen e gruas. Gjithçka pas kësaj është mbuluar nga heshtja dhe kryefamiljari është larguar menjëherë nga shtëpia. Kanë qenë fqinjët ata që pasi kanë dëgjuar të bërtiturat e gruas i janë afruar shtëpisë, por nuk kanë munduar të ndërhyjnë mes marrëdhënieve të çiftit. Vetëm kur kanë parë që Elmazi është larguar, fqinjët kanë mundur t’i shkojnë në ndihmë 36-vjeçares, e cila ishte e pushtuar nga gjaku. Me urgjencë e kanë transportuar drejt spitalit të Fierit, prej nga është lajmëruar dhe policia. Të afërm të familjes Zotaj kanë treguar se gjendja ekonomike e familjes nuk ishte e mirë dhe për këtë arsye ata kishin shpesh kontradikta e më vonë ishte shfaqur dhe xhelozia e bashkëshortit. Ai nuk kishte një punë të qëndrueshme, ndërsa gruaja merrej me rritjen e fëmijëve 10 dhe 12 vjeç. Prej tre muajsh, ajo priste dhe fëmijën e tretë. Sipas mjekëve, gjendja e saj paraqitej në mbrëmje e normalizuar. I shoqi u arrestua nga policia pak minuta pas ngjarjes së rëndë.