E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inflacioni bie me 1,7 pikë në muaj, shkak rënia e konsumit dhe e kërkesës

Nga Fitim Zekthi

Inflacioni në muajin shkurt është ulur me 1,7 pikë përqindjeje duke shkuar në 1,9%, bëjnë me dije të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave. Në kohën kur vendi ka kohë që ka ulur kërkesën dhe kur shitjet ka kohë që vijojnë të bien, rënia e inflacionit ishte një gjë e pritshme dhe kjo thjesht dëshmon se ekonomia shqiptare po kalon një periudhë të vështirë. Rënia e inflacionit nuk ka ndodhur për shkak se në vende është rritur prodhimi, domethënë oferta, e as çmimet e importit kanë rënë, pasi zhvlerësimi i lekut vendas ka bërë efektin e kundërt. Inflacioni ka rënë, për shkak se kërkesa ka rënë, se shitjet kanë rënë dhe se qytetarët kanë ulur konsumin. Megjithatë, nuk është e qartë se sa të dhënat e Institutit të Statistikave janë të vërteta, pasi në fakt tregu shqiptar të paktën në lidhje me shportën e ushqimeve ofron pamje tjetër. Çmimet e ushqimeve në treg nuk janë ulur, përkundrazi ato kanë pësuar një rritje të stimuluar nga zhvlerësimi i lekut ndaj monedhave të huaja(euros). Pesha e ushqimeve në shportën e mallrave që përdoret për të llogaritur nivelin e inflacionit është 38% dhe gjasat janë që rritja e çmimit të ushqimit nuk e ka penguar rënien e inflacionit për shkak të rënies së madhe të kërkesës për artikujt që përbëjnë 62% të shportës, ku llogaritet inflacioni. Shitjet në industrinë e prodhimit të veshjeve dhe të këpucëve kanë rënë në mbi 30%, në atë të ndërtimit të qirave po ashtu. Kjo mund të ketë bërë që çmimet të kenë rënë në atë masë që llogaria e Institutit të Statistikave e zbret inflacionit me 1,7 pikë përqindjeje. Kjo shifër, në anën tjetër, do të thotë se kostoja e jetës ka rënë, pasi ajo në përpjesëtim të drejtë me indeksin e çmimeve të konsumit, i cili është edhe treguesi i inflacionit. Kjo pa dyshim që nuk duket të jetë e vërtetë, pasi është e qartë se pesha e ushqimeve në shportën e mallrave, nga të cilat llogaritet inflacioni, nuk mund të jetë ajo që mendon INSTAT, 38%. Është e qartë se shqiptarët shpenzojnë më shumë se 38% të totalit të tyre në një muaj për ushqime. Shpenzimet për ushqim në Shqipëri janë më të larta dhe kjo për shkak të sasisë së paktë të parave që ata kanë në dispozicion për të shpenzuar. Në treg aktualisht qytetarët po përballën me një shtrenjtim më të lartë të produkteve ushqimore nga sa evidentojnë shifrat zyrtare. Rritja e çmimeve, e cila mendohet se është ndikuar edhe nga zhvlerësimi i monedhës kombëtare, lekut, vlerësohet nga tregtarët nga 50% deri në 100% për artikull. Gjatë javëve të fundit çmimet e produkteve ushqimore kanë arritur në tregjet tona nivele shumë të larta, ndërkohë që konsumi ka rënë ndjeshëm. Megjithëse çmimet e ushqimeve janë rritur, është e dukshme rënia e shitjeve dhe e konsumit në shumë grupe të artikujsh dhe kjo është për shkak të rënies së kërkesës. Ulja e inflacionit me një vlerë të madhe 1,7 pikë në një muaj, kur prodhimi nuk është rritur, është shumë e rëndë dhe tregon se ekonomia realisht ka vështirësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›