E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Njerëzit nuk informohen për pronat, që ato t’u grabiten

Nga Armand Maho

Presidenti, Bamir Topi, tha dje gjatë një seminari që lidhej me aksesin për informacion se administrata iu mohon informacionin qytetarëve. Presidenti ka veçuar sidomos çështjen e informacionit për pronat.

“Ne kemi mjaft të dhëna që e drejta për informim më shumë është pjesë e një fjalori që përdoret që secili ka të drejtën të informohet, por, nga ana tjetër, kemi mjaft ankesa nga qytetarë të thjeshtë. Ato vijnë edhe në Institucionin e Presidentit padyshim, por jam i bindur që shumë shkojnë edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit. Kjo ka qenë arsyeja që shpeshherë gjërat shikohen me dyshim, shikohen me skepticizëm. Kjo është arsyeja që shpeshherë atë që nuk e mbulojnë institucionet shtetërore, atë që nuk e mbulon administrata publike, detyrohet ta mbulojë media”, - tha Topi.

Presidenti tha se mungesa e informimit për çështjen e pronave është e qëllimshme, pasi synon grabitjen e këtyre pronave.

“Për të mos e lënë këtë diskutim në terminologjinë e përgjithshme, do të merrja fakte konkrete. Një nga çështjet më të rëndësishme në Shqipëri, me të cilës jemi përballur shumë në periudhën e tranzicionit dhe që vazhdojmë të përballemi, është çështja e së drejtës së pronës. Nuk dua të abuzoj me rimarrjen prapë në konsideratë të kësaj teme të rëndësishme, por po e marr në funksion të temës që po diskutojmë sot. Në mjaft raste, qytetarët janë të painformuar, nuk gjejnë aksesin e duhur për t’u informuar, shpeshherë këto veprime administrative edhe nga punonjës të rëndomtë të administratës bëhen në konspiracion, pikërisht për të realizuar qëllime të errëta të tjetërsimit të pronës, dhe në mjaft raste ky debat zhvillohet në media. Pra, është më i pranishëm në media pikërisht për shkak të mungesës së plotë të transparencës për marrjen e informacionit”, - tha Topi.

“Pra, unë e mendoj që është një detyrim dhe aspak një e drejtë, e cila mund të dyzohet: një informacion mund të jepet ose mund të mos jepet. Pra, është një e drejtë ekskluzive dhe e rëndësishme është që transparenca shpeshherë, transparenca në kohën e duhur, heq të gjitha mundësitë për t’u futur në debatin kaotik”, - përfundoi kreu i shtetit.

Ndaj tij ka replikuar ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Ai tha se nuk qëndrojnë akuzat e presidentit për mungesë transparence.

“Sot për sot nuk ka në administratën publike asnjë lloj pengese për marrjen e informacionit. Sot nuk ka mekanizma për të përcaktuar me ligj në urdhra dhe rregullore për lehtësimin e marrjes së informacionit”, - u shpreh Alibeaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›