Policia ndërtimore rrafshon 28 ndërtime pa leje
Berat- Policia ndërtimore në qytetin e Beratit ka ndërmarrë sot një aksion për prishjen e 28 ndërtime pa leje. Këto ndërtesa ishin në lagjet periferike “Uznovë” dhe “ Dëshmorët e Kombit”, me funskione të ndryshme si shtesa pallatesh, mure rrethues, etj.
Sipas inspektorëve të ndërtimores, ngushtimi i hapësirave publike të këtyre lagjeve çoi në këtë aksion. Drejtori i policisë ndërtimore Donald Molishti bëri të ditur se qytetarët që kishin ndërtuar prej vitesh shtesa në pallatet e tyre, mure rrethues në mes të lagjeve të banuara ishin njoftuar prej ditësh për zhvillimin e këtij aksioni.
Ai shprehet se plotë 28 ndërtime pa leje, si shtesa pallatesh, mure rrethues dhe objekte të tjera, të ndërtuara pa leje vitet fundit janë prishur sot nga fadroma e policisë ndërtimore.
Aksioni ka vijuar normalisht pa shënuar asnjë incident, ndërkohë që sipas drejtorit të ndërtimores, problem vazhdon të mbeten ndërtesat e paligjshme në zonën muzeale. Kështu, ndërsa në të gjithë Qarkun e Beratit numërohen rreth katër mijë ndërtime pa leje, në zonat muzeale të lagjeve “ Kala” “ Goricë” e “ Mangalem” numërohen 150 të tilla.