Si mund të kemi një Obama te ne?
Shumë rrallë gjenerohen udhëheqës të frymëzuar në kohën tonë. Aftësia kryesore e udhëheqësit të vërtetë, është të gjallërojë shpresën e popullit, t`i mbushë sytë me lot, të çelë buzëqeshje, të shkaktojë festa spontane dhe gëzim, vetëm nga besimi në personalitetin e tij. Lideri i vërtetë, bën të mundur që kolektivi i organizuar – qoftë komunitet, ndërmarrje, qytet, shtet ose aleatë – ta drejtojë shikimin ndaj tij. Kush dëgjoi fjalimin ngadhënjimtar të Barak Obamës në Çikago, më 4 Nëntor 2008, do ta kishte të pamundur të mos përmallej. Shumica, kam pështypjen, jo vetëm u mallëngjyen, por edhe patën zili. Pse të mos kemi edhe te ne një politikan, i cili do të na ngrejë moralin, do të përmbledhë frikërat, dëshirat dhe shpresat e shoqërisë, do të shpreh atë që ndjejmë, me një fjalë, do të na frymëzojë me vizionin e tij?
Gjuha politike, meqënëse në kohërat tona fabrikohet nga specialistët e komunikimit, nuk pushon së shprehuri karakterin politik të komunitetit, në të cilin artikulohet. Cilët janë elementet që përbëjnë karizmën udhëheqese dhe çfarë gjeneron shpresë ndaj popullit?
Sigurisht, qëllimet e një udhëheqësi, pavarësisht se shumica i pëcepton në menyrë utilitare: Ato nuk janë as qëllime megalomane, as teprimi i mahnitjes së qytetarëve, e fabrikuar nga demagogë të zot. Qëllimet shoqërohen domosdoshmërisht me kritere radhitjeje të përparësive dhe mjete vlerësimi të cilësisë. Synimi i cilësisë është pikërisht ajo që dallon udhëheqësin karizmatik nga shumica mediokre dhe nga turma e pushtetdashësve. Në skenën e Grand Parkut dominonte figura e Obamës, fjalët thuheshin nga vetëm një njeri, por dukeshin se shprehnin një ngjarje thelbësisht shoqërore. Orkestrimi i dialogut fantastik me publikun, për mendimin tonë, dukej si e modeluar sipas ceremonive fetare. Por, në përgjithësi, gjysma e fjalëve, sipas Mikhail Mihailoviç Bakhtinit, u përkasin të tjerëve, merren fjalët e të tjerëve dhe i jepen nuanca personale. Obama nuk dha thjesht një fjalim, por u bashkërendua me dëgjuesit e vet, në përmasat që vetë Obama u frymëzua nga trashëgimia e përbashkët politike amerikane. Bindës është vetëm ai që bashkohet në përvojat, ankthet dhe ëndrrat e përbashkëta.
Pjekurimi i kritereve të vlerësimit të cilësisë njerëzore, në çdo kolektiv mund të jetë i lidhur me një sërë kushtesh dhe koincidentesh heterogjene, por sigurisht rrethanat historike kanë një rol të rëndësishëm në njohjen e epërsisë cilësore të një udhëheqësi. Në fjalinë e tij ngadhënjimtare, Obama nënvizoi ndryshmërinë e tij (“kurrë s’kam qenë kandidati më i mundshëm për këtë post”), theksoi nevojën për ndryshim politik, por njëkohësisht kujtoi vazhdimësinë historike, çfarë e bën Amerikën madhështore: “Fuqia e vërtetë e kombit tonë, buron jo nga fuqia jonë ose nga shkalla e pasurisë sonë, por nga forca e idealeve tona: Demokraci, liri, shanse dhe shpresa jonë e papërkulshme”. Për tetë vjet, shoqëria amerikane kishte dënuar me votën e saj administratën e Bushit, e cila në emër të luftës ndaj terrorizmit, eliminoi liri themeltare të qytetarëve dhe lejoi përgojimin e Amerikës me praktika rrëqethëse të tipit të Guantanamos. Për më tepër, përtypi dy lufta të pëgjakshme dhe, më në fund, u ngërthye në lakminë e pangopshme të spekulatorëve bankarë dhe toleroi diskretitimin e emrit të saj në botën myslimane, përmes politikave polarizuese.
Falë rrethanave të këtilla, me sa duket, me një ngadalësi të pamëshirëshme, u poq dallimi i cilësive që çoi Obamën në fitore. Vetëfitues i një fushate polarizuese, Obama nuk paraqiti kundërshtarin e tij politik si një armik për ta larguar, por si pjesë të të njëjtit komuniteti politik. Pas shpalljes së vullnetit të popullit, kombi duhet të bashkohet përsëri, prandaj Obama theksoi vlerat historike të partisë rivale Republikane, “në të cilat të gjithë jemi pjesë” dhe lavdëroi udhëheqësin historik më të shquar, Abraham Linkolnin. Dhe kështu, shpresa u rigjallërua në çdo kënd të botës, sytë u përlotën në mënyrë që të rikujtojmë ne, njerëzit, fuqinë bindëse të karizmës së arritur. Mirësjellja paszgjedhore e të dy kundërshtarëve – deri dje – dhe premtimet dhe thirrjet reciproke për bashkëpunim në të ardhmen, nënvizojnë se, megjithë ndryshimeve të tyre, nuk janë veç pjesë të të njëjtit komunitet politik.
Mirësjellja nuk është thjesht kortezi, më shumë pasqyron ethosin zotërues politik. Kundërshtimi politik nuk na bën armiq. Pra, vëmë re se përtej antagonizmit politik, ku kundështari shihet si armik, sikundër do vërente me të drejtë Chantal Mouffe, drejt një forme agonizmi, ku legjitimiteti i kundërshtarit njihet dhe respektohet, po ashtu edhe idetë e tij, kushdo qofshin ndryshimet ideologjike. Siç dëshmoi situata paszgjedhore në SH.B.A, ndryshimet politike nuk u lejuan të dëmtojnë bashkësinë politike dhe rregullat e lojës proceduriale që garantojnë një zhvillim formal të demokracisë përfaqësuese. Atje, ndonëse si kudo, fushata elektorale mpreh në mënyrë të pashmangshme ndryshmëritë e publikut, pas shpalljes së vullnetit të popullit, e reflektuar në një mazhorancë tashmë të re, kanë filluar të shërohen plagat që shkaktoi rivaliteti politik. Madje, presidenti i zgjedhur Obama, përfshiu shumë nga ish-rivalët e tij brendapërbrenda Partisë Demokratike në kabinetin e ri, duke imituar, në njëfarë mënyre, atë që mbahet si presidenti më i madh i të gjitha kohërave në SHBA, Abraham Linkolnin.
Në mënyrë të mrekullueshme, Obama shpalosi një rrjet narrativ, që bashkoi ngjarje të mëdha politike kombëtare, me histori personale. Diskursi i tij indirekt, mes së kaluarës dhe së tashmes, kulmoi kur ai ritregoi historinë e Amerikës, arritjet dhe turpet e saj përmes historisë personale të votueses afroa-merikane qindegjashtëvjeçare, Ann Nixon Cooper, kur ai pyeti vetën “në qoftë se bijat e mia kanë fatin të rrojnë sa zonja Cooper, çfarë ndryshimi do të përjetojnë? Sa do të kemi ecur”? Lideri na kujton pasiguritë e së ardhmës, duke na kujtuat njëkohësisht se mundemi ta formojmë me bazat e vlerave tona: “Ky është momenti ynë. [...] Të rigjallërojmë ëndrrën amerikane dhe të konfirmojmë të vërtetën themeltare – se nga shumë bëhemi një, se sa jetojmë shpresojmë dhe kur ndeshemi me cinizmin dhe dyshimin nga ata që na thonë se nuk mundemi, ne do të përgjigjemi më atë besimin e përjetshëm që përmbledh shpirtin e popullit tonë: Yes, We Can”. Në qoftë se politikanët tanë ju duken të shtirë, kjo është sepse gjuha e tyre shpreh ethosin politik zotërues, oportunizmin dhe tarafizmin pa vlerë, mungesën e guximit, polarizimin pa masë, mungesën e respektit ndaj institucioneve, përdorimin e politikës si mjet pasurimi dhe etjen e pushtetit për pushtetin. Për të folur dikush si Obama, duhet të ndihet si Obama, të rritet si Obama dhe të mësohet si Obama.
Imponimi i “vlerave” kolektive nga regjimi i mëparshëm, çoi në një modernizim të çuditshëm të shoqërisë sonë, i tërhequr nga shtrembërimi i arritjes madhërore (për të kaluarën e Evropës Perëndimore), asaj të mbrojtjes institucionale të të drejtave individuale: Mendojmë, flasim, organizojmë jetën tonë në bazë të individualizmit, të mbrojtjes së egos, duke harruar si të ndajmë, si të shijojmë gëzimin e kapërcimit të vetes, të ofertës së vetes pa qëllime vetiake. Kulturat politike nuk ndërtohen nga imponimi i “idealeve”, “vlerave” dhe “qëllimeve madhështore”, por lindin nga vetë nevojat tona: Cila është e para, cila është e dyta. Do të përvetësojmë kulturë, me të vërtetë demokratike, kur nevoja jonë e parë e përbashkët do të jetë respekti ndaj demokracisë dhe gëzimi nga marrëdhëniet demokratike me njerëzit, pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike, dhe jo nënshtrimi në ëndjet tona egocentrike, jo konsumimi i politikës. Të arrijmë në respektimin e politikës, duhet të zbulojmë gëzimin e marrëdhënieve demokratike që ka epërsi mbi mbrojtjen me të drejta. Atëherë do të kalojmë nga faza parapolitike e balancimit të interesave, në politikën si ushtrimi i “jetës sipas së vërtetës”. Lotët e znj. Cooper, mund, ndoshta të na joshin të bashkohemi në këtë drejtim.
* Dr. Kosta Giakoumis është profesor i Historisë, i Historisë së Artit, dhe zv. Rektor i UNYT-së, si edhe studiues i Universitetit të Birmingham-it.
** Ilir Kalemaj është kandidat për doktor shkencash pranë Universitetit Qendror të Evropës në Budapest, si edhe lektor i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UNYT.