E Diel, 1 Nëntor 2026

Formulari i fundit për legalizimet

Formulari i fundit përpara marrjes së tapisë TIRANË- Hapi i fundit përpara se vetë deklaruesit të bëhen pronarë të ndërtimeve të tyre pa leje është plotësimi i formularit "Kartela e paluajtshme të legalizuar". Ky formular plotësohet në bashkëpunim me inspektorët e ALUIZNI-t dhe më pas firmoset nga kreu i këtij institucioni. "ALUIZNI plotëson dokumentacionin tekniko-ligjor, të nevojshëm për procedurat përkatëse për regjistrimin fillestar të objektit pa leje, të pajisur me leje legalizimi, si dhe regjistrin e parcelave ndërtimore, sipas të dhënave në kartelën e pasurisë së paluajtshme, në përputhje me listën e emrave të pronarëve të objekteve pa leje, që përfshihen në zonën informale/bllokbanimin informal/ndërtimet informale të veçuara, të grupuara në bazë të zonës kadastrale, kundodhen, sipas modelit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi",- thuhet në vendimin e qeverisë në lidhej me këtë çështje. Sipas tij, procedura parashikon që ALUIZNI të mbushë formularin me të dhënat e lejes së legalizimit të objektit pa leje; genplanin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale ALUIZNI-t; hartën treguese të regjistrimit, ku përcaktohen kufijtë e pasurisë për secilin objekt. Plotësimi i këtyre detajeve duhet të bëhet brenda një afati prej 15 ditësh nga paraqitja e kërkesës, të japë informacion të plotë, me të gjitha përshkrimet e nevojshme, për plotësimin e këtyre rubrikave. "Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar informacionin e regjistruar gjatë etapave të mëparshme të procesit të legalizimit, bën plotësimin e mëtejshëm të bazës së të dhënave, në format manual dhe dixhital, si dhe krijon bazën e të dhënave të pasurisë, sipas treguesve të kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe të regjistrit të parcelave ndërtimore. Në përfundim të plotësimit të bazës së të dhënave, drejtoria rajonale kryen procedurat përkatëse të verifikimit të saktësisë së këtyre të dhënave",- thuhet në vendimin e qeverisë në lidhje me këtë çështje. Vendimi i qeverisë ka parashikuar edhe rastet e gabimeve në këtë proces dhe për këtë gjë ka kërkuar nga ALUIZNI të publikojë për 15 ditë rresht, në një vend të dukshëm, në zonën kadastrale regjistrin e parcelave ndërtimore dhe hartën treguese të regjistrimit (HTR), të përditësuar. Kur rezultojnë pasaktësi në hartën treguese të pasurive ekzistuese, të regjistruara, ose mbivendosje me pasuritë e legalizuara, ALUIZNI njofton ZVRPP-në, e cila, në përputhje me nenin 17 të ligjit nr.7843, datë.13.7.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", të ndryshuar, bën korrigjimet e nevojshme në HTR-në përkatëse. DETYRAT E HIPOTEKËS ZVRPP-ja brenda një periudhe prej 15 ditësh nga marrja në dorëzim e dokumentacionit të përcaktuar në pikën 6.1 të këtij vendimi, verifikon saktësinë e të dhënave të kartelës së pasurisë së paluajtshme, të legalizuar, dhe kryen procedurat për ligjërimin e regjistrimit fillestar për ndërtimet pa leje, të pajisura me leje legalizimi, në zbatim të nenit 26 të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", të ndryshuar. DETYRAT E ALUIZNI-T Drejtoria rajonale e ALUIZNI-t, në funksion të përmbylljes së procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara, dorëzon në ZVRPP, për çdo objekt, të gjithë informacionin e regjistruar në format dixhital, në bazën e të dhënave, si dhe dokumentacionin e mëposhtëm manual: a) Lejen e legalizimit të objektit; b) Genplanin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t; c) Planimetrinë për çdo kat; ç) Volumet e kartelave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi; d) Regjistrin e parcelave ndërtimore; dh) HTR-në e përditësuar. 7. Ligjërimi nga ZVRPP-ja, i regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të legalizuara Ja procedurat për të hipotekuar pronën informaleTIRANË- Të gjitha pronat e miratuara gjatë procesit të legalizimit nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave e Ndërtimeve Informale tashmë duhet të kalojnë edhe në Hipotekë që të quhen krejtësisht të ligjshme. Rreth dhjetë mijë përfituesit e procesit të parë të legalizimeve duhet të marrin miratimin e qeverisë dhe brenda 30 ditëve ata do të pajisen me të vetmin dokument zyrtar që jep titullin "pronar toke", hipotekën nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Burime nga ALUIZNI dhe Hipoteka pohuan dje se ky proces sapo ka nisur por më parë përfituesit nga legalizimet duhet të plotësojnë edhe disa kushte e dokumente të tjera. Burime të qeverisë pohuan dje se emrat e tyre janë miratuar dhe tashmë pritet vetëm kalimi nga Hipotekat dhe ALUIZNI. Sipas burimeve, procesi fillon nga ALUIZNI, i cili brenda dhjetë ditëve fillon zbatimin e procedurave të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme (objektit dhe parcelës ndërtimore). "Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP), brenda një periudhe 30-ditore, sipas kërkesës së drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, dërgon një informacion të hollësishëm, me numrat e zonës kadastrale dhe të pasurive, si dhe me dokumentacionin përkatës hartografik, në funksion të regjistrimit të objekteve, të përfshira në proces legalizimi, për çdo zonë informale/bllokbanim informal/ndërtim informal të veçuar",- thuhet nëvendimin e qeverisë në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, pas kësaj faze nis edhe regjistrimi zyrtar i pronarëve të rinj, të cilët duhet të plotësojnë edhe disa dokumente të tjera. Sipas vendimit të qeverisë specialistët e ALUIZNI-t dhe vetë deklaruesit duhet të dorëzojnë në hipotekë dokumentacionin ligjor- administrativ, lejen e legalizimit të ndërtimit pa leje; - genplanin e objektit, të hartuar si hartë treguese, miratuar nga drejtoria rajonale e ALUIZNI-t dhe planimetrinë për çdo kat. Në këtë pikë Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nis punën për plotësimin e të dhënave personale. Burime të ALUIZNI-t dhe Qeverisë pohuan dje për "Shekullin" se të gjitha listat e miratuara paraprakisht kanë kaluar edhe në qeveri. Lista e gjatë prej gati dhjetë mijë emrash është botuar e plotë gjatë javës së kaluar nga gazeta "Shekulli" dhe të gjithë personat që kanë emrin në të tashmë duhet të nisin të plotësojnë dokumentet e tjera dhe të presin përfundimin e procedurës që do i bëjë pronarë të tokës dhe ndërtimeve deri tani informale. Një tjetër etapë që duhet të kalojnë personat që duan të përfitojnë nga legalizimet është edhe pagesa e tarifës së përcaktuar nga ALUIZNI. Burimet zyrtare të ALUIZNIt pohuan dje se në listat e publikuar ndodhen edhe shumë emra të cilët ende nuk kanë paguar paratë sipas ligjit. Në momentin që ata paguajnë paratë, në banesat e tyre një njoftim ku ju bëhet me dije se tashmë prona e tyre është përfshirë në listën e objekte të legalizuar. Legalizmet, mblidhen 166 milionë lekë TIRANË- Deri tani procesi i legalizimit të banesave dhe shtesave informale të pallateve ka mbledhur plot 166 milionë lekë të reja. Shifra e të ardhurave të mbledhura vetëm për një muaj, është deklaruar nga kreu i ALUIZN-it, Shaban Memia. Ndërkohë që, 94 milionë lekë të rinj janë përfituar nga pallatet me shtesa pa leje. Në bazë të ligjit, pas plotësimit të dosjeve për legalizimin, "pronarëve" të ndërtesës u jepet leja për legalizim. Ndërsa u paraqitet dhe fatura që duhet të paguajnë. Pra, çdokush që kërkon të legalizojë banesën e tij, duhet të paguajë një çmim tregu, që varion nga 20-100 mijë lekë të rinj për metër katror. Sipas ligjit të Legalizim- Urbanizimit, regjistri-mi i shtëpive pa leje bën një diferencim në dy kategori: nën 500 metra katrorë dhe mbi 500 metra katrorë. Për ato sipërfaqe mbi 500 metra katrorë, çmimi varion nga 20 mijë lekë të rinj për metër katror në periferitë e Tiranës, deri në 100 mijë lekë të rinj për metër katror në qendër të saj. Për ato subjekte pa leje, sipërfaqja e të cilave nuk i kalon 500 metra katrorë, janë përcaktuar tarifa tavan, të cilat variojnë nga 100 deri në 400 mijë lekë. Legalizimi me këto çmime është përcaktuar nga qeveria në bazë të sipërfaqeve. Për objektet që ndodhen brenda vijës së verdhë të Tiranës, me sipërfaqe deri në 300 metra katrorë është caktuar një vlerë prej 400 mijë lekë të rinj. Në dhjetor shpërndahen 150 mijë certifikata TIRANË- Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale ka premtuar vetëm pak ditë më parë se brenda këtij viti do të shpërndajë më shumë se 150 mijë certifikata pronësie për të gjithë ata qytetarë që kanë aplikuar për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Kreu i kësaj agjencie, Shaban Memia ka shpjeguar se kjo agjenci së bashku me filialet e saja ka shpërndarë 10 mijë certifikatat e para të pronësisë, të cilat tashmë duhet të kalojnë në Hipotekë. Por jo të gjithë këta persona do të përfitojnë nga procesi i legalizimit pasi një pjesë e madhe e tyre nuk kanë shlyer detyrimet në shtet. Ata nuk kanë derdhur endepagesën që do të bënte edhe finalizimin e procesit. "Kemi të përfunduar gjithë procedurën dhe në një farë mënyre topi është në këmbët e qytetarit për të shlyer detyrimet financiare për 100 mijë pasuri minimumi. Deri në fund të vitit detyrimisht kjo shifër do të jetë shumë më e madhe 150 mijë deri 200 mijë,"- ka pohuar drejtori i ALUIZNI-t. Ndërkohë ai ka bërë të ditur se kjo agjenci deri më tani ka përpunuar më shumë se gjysma e dosjeve të dorëzuara dhe për secilën prej tyre janë bërë përllogaritjet e vlerave që duhet të paguajë secili në raport me tokën që ka zënë. "Gjatë kësaj periudhe ne kemi tërhequr 60 për qind të dosjeve nga 190 mijë dosje. Nga ana tjetër janë përpunuar 80 mijë dosje për 50 mijë pasuri të tjera. Për këto janë bërë të gjitha përllogaritjet për detyrimet financiare që kanë qytetarët dhe është dërguar fatura pranë qytetarit dhe ka filluar të implementohet gjithë skema financiare", ka shpjeguar Memia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›