Një tymnajë demagogjike
Qeveria deklaroi me gojën e ministrit të ekonomisë se çmimi i energjisë elektrike, do të rritet përsëri, ndërsa në projketbuxhet nuk është parashikuar asnjë lek kompensim për këtë, pra barra e rritjes së çmimit të energjisë do të bjerë përsëri mbi ata shqiptarë që paguajnë energjinë, duke i varfëruara ata akoma më shumë
Edhe pagesa e papunësisë nuk pëson asnjë ndryshim, pra, ndërsa kostoja e jetesës rritet në mënyrë të pandalshme, këto mijëra familje shqiptare do të vazhdojnë të zhyten në një varfëri të tejskajshme dhe me këtë qeverisje nuk do të ketë asnjë shpresë se mund të lehtësohet varfëria e tyre.
Rënia e natyrshme e dërgesave të emigrantëve, për arsye të krizës financiare që ka përfshirë botën, e bën situatën akoma më të vështirë dhe, mosmarrja e asnjë mase konkrete nga ana e qeverisë në këtë situatë, e kompromenton rëndë raportrin e saj me shqiptarët dhe varfërinë e tyre, duke u bërë nga lehtësuese e varfërisë, në një qeveri që e rëndon dhe e thellon atë. Remitancat në vendin tonë arrijnë rreth 1 miliard euro në vit, ose rreth 1/3 e shpenzimeve vjetore, kjo shifër bie në mënyrë të vazhdueshme, por si pasojë e krizës, kjo shifër rrezikon të ulet në mënyrë drastike.
Në projektbuxhetin e paraqitur, qeveria nuk ka vlerësuar rreziqet serioze që vijnë nga kriza globale ekonomiko- financiare; ndikimet e fushatës elektorale mbi zhvillimet ekonomike në vitin 2009; problemet dhe gjendjen ekonomiko-financiare të KESH-it; rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe ndikimi i tyre në ekonominë shqiptare; nivelin e ulët dhe mungesën e kapaciteteve të administratës publike.
Ndërsa vendet fqinjë me Shqipërinë po marrin masa për të përballuar krizën financiare, që po rrezikon të kthehet në krizë të ekonomisë reale, qeveria shqiptare jo vetëm qënuk ka një plan konkret ndërhyrjeje antikirizë, por vazhdon të përsërisë se Shqipëria nuk rrezikon të përfshihet nga kriza, ndërkohë shqiptarët po varfërohen përditë e më shumë.
Kryeministri Berisha, në këtë rast, është shembulli më i keq i reminishencave të së kaluarës, duke menduar se Shqipëria do të jetë një fanar ndriçues, në vend të vlerësimit serioz të rrezikut dhe marrjes së masave për shmangien e tij.
Qeveria me këtë projektbuxhet, ka vetëm një objektiv: Realizimin e tymnajave demagogjike elektorale, që do të thellojnë në mënyrë të frikshme varfërinë dhe do t’i shtojnë defterët e të varfërve, që nuk mund të paguajnë as ushqimet e tyre, në vend që të ndodhte e kundërta.
Në mënyrë të përgjegjshme, qeveria duhet të reflektojë e ndryshojë ato shifra që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me luftën kundër varfërisë, sepse thellimi i saj do të shtonte tensionet sociale dhe pasigurinë për të nesërmen në mijëra e mijëra familje shqiptare.
*Nënkryetare e LSI-së