E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH, shpërblime mjekëve për të mos “vjedhur”



Përpos buxhetit të përcaktuar nga ISKSH-ja, çdo poliklinikë do të mund të përdorë në masën 100 për qind të ardhurat dytësore që mbledhin nga të pasiguruarit. Të gjitha vizitat mjekësore që kryhen nga të pasiguruarit pranë mjekut të familjes, duhet të paguajnë faturën përkatëse dhe më pas të regjistrohen. Pas kësaj të ardhurat e mbledhura nga pagesat e të pasiguruarve do të shkojnë për shpërblimin e personelit shëndetësor. Me vendosjen e kësaj procedure ISKSH-ja ka vendosur të “luftojë” informalitetin e poliklinikave të vendit, duke shpërblyer punonjësit.

Shpërblimet

Drejtorja e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, dje në takimin me mjekët e poliklinikës nr. 10 në kryeqytet, deklaroi se shumë shpejt do të bëhet ndarja në zëra të këtyre të ardhurave, të cilat do të përdoren për investime, pajisje dhe shpërblime për personelin shëndetësor. Sipas Hanës, pritet vetëm vendimi i Këshillit të Ministrave për vetëfinancimin e këtyre të ardhurave, të cilat mund të përdoren për pajisje apo shpërblime. “Së fundi, pritet të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për të ardhurat dytësore që ju mund t’i përdorni për investime, për pajisje, por dhe për shpërblime të stafit të personelit tuaj. Të dhënat vjetore flasin për afro 60 milionë lekë të reja në total të mbledhura nga të ardhurat dytësore nga vetë qendrat shëndetësore”, - u shpreh drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana. Gjithashtu, ajo tha se do të vazhdojë edhe matja e performancës (10% mbi pagën) dhe bonusit (5%) sipas kritereve të përcaktuara.

Investimet

Për përmirësimin e këtij shërbimi drejtorja deklaroi se të gjitha poliklinikat do të pajisen me paketë pajisjesh si dhe do të dixhitalizojnë informacionin. Kështu, do të ndërtohet një sistem informatik për monitorimin dhe matjen e performancës së aktivitetit të personelit mjekësor të qendrës shëndetësore dhe llogaritjen e pagesës mbi këtë bazë. “ISKSH-ja në bashkëpunim me MSH-në dhe me financim të BB-në, ka realizuar blerjen dhe po shpërndan në të 419 qendrat shëndetësore 500 kompjutera, 400 printera dhe një sasi serverësh për drejtoritë tona rajonale. Në çdo poliklinikë do të ketë të paktën 1 kompjuter dhe 1 printer, ndërsa qendrat e mëdha shëndetësore do të kenë deri në 4 kompjutera me UPS-në përkatëse. Deri tani, këto pajisje janë shpërndarë në Tiranë dhe Durrës, ndërkohë po vazhdohet me rrethet e tjera”, - tha drejtorja e ISKSH-së Elvana Hana, në takimin me mjekët e qendrës shëndetësore nr. 10. Përpos këtyre, do të ketë edhe investime në pajisje të cilat do të ndihmojnë mjekun e familjes që të diagnostikojë më mirë sëmundjet e syve, veshit, përkujdesen ndaj fëmijëve, duke bërë matjen dhe peshimin e tyre, ndjekje më cilësore për pacientët me sëmundje kronike, duke matur sheqerin në gjak, matjen e tensionit, përkujdesje më e mirë për gratë shtatzëna, duke matur të gjitha parametrat që përcaktojnë ecurinë e shtatzënisë, si pelvimetër, peshore, pajisje për testimin neurologjik. Qendrat shëndetësore të Tiranës do të pajisen edhe me EKG me qëllim diagnostikimin e të sëmurëve kardiologjikë brenda qendrës. Laboratorët e tyre do të pajisen me fotometër, autoklavë dhe centrifugë për të ofruar një gamë më të gjerë analizash për pacientët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›