Cirku i Metropolit, merr pjesë në festivalin e tretë ndërkombëtar të cirkut në Kroaci

Cirku i Metropolit përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin e tretë Ndërkombëtar të Cirkut “Street Talks”, që u zhvillua në Split të Kroacisë nga 9-14 qershor ku merrnin pjesë 12 trupa nga vende te ndryshme të botës. Trupa shqiptarë u prezantua me 13 artistë profesionistë të cirkut të Metropolit dhe nxënës të shkollës së cirkut, nën drejtimin e mësueses së tyre Silvana Duni. Zyra e shtypit e këtij cirku bëri të ditur se trupa shqiptare drejtohej nga kllouni i mirënjohur Vilson Gjocaj dhe veterani i numrave të shpejtësisë Fatos Roshi. Artistët shqiptar interpretuan në këtë festival një kolazh me lëvizje akrobatike nga pjesë të ndryshme të shfaqjeve në arenën e Metropolit. Krahas shfaqjeve të shumta që grupi ynë dha në Split, ai organizoi edhe tre ëork-shop në parkun qëndror të qytetit, duke dëshmuar anën profesionale të artistëve dhe artit akrobatik shqiptar në disa disiplina të cirkut. Trupa e artistëve të Cirkut të Metropolit, ishte grupi i parë që prezantoi Shqipërinë në këtë festival. Pas përfundimit të festivalit ku është preferuar të mos ndahen çmime, organizatorët kroatë shprehën vlerësimet e tyre për trupën shqiptare, duke i ftuar ata sërish në festivalin e ardhshëm.
...