City insiston për Behramin

West Ham United ka marrë një ofertë interesante nga Manchester City për mesfushorin e krahut të djathtë, Valon Behrami. Sipas të përditshmes britanike, Mirror, Citizens, përpos parave, janë të gatshëm ta sakrifikojnë edhe një futbollist të tyre, vetëm për ta bërë të vetin përfaqësuesin zviceran.
Mirror shkruan se skuadra e Roberto Mancinit, e cila humbi të shtunën nga Everton me rezultat 2:0, ka përgatitur një ofertë prej 5 milionë funtesh plus sulmuesin Benjani, për ta transferuar 24 vjeçarin. Por, sipas kësaj të përditshmeje, ekipi i Gianfranco Zolas pritet ta refuzojë këtë ofertë, pasi që e konsideron shumë të rëndësishëm futbollistin kosovar.
Behrami iu bashku ekipit londinez në qershor të vitit 2008 nga klubi italian, Lazio. Kohën e fundit, ai ndiqej nga klubet tjera angleze, Manchester United e Liverpool, si dhe nga ato italiane, Lazio e Roma.
Përkundër problemeve financiare nëpër të cilat po kalon klubi Hammers, duket se klubi nuk duket i përgatitur për ta pranuar çfarëdo oferte për Behramin, mungesa e të cilit do ta çrregullonte skuadrën e Zolas. Trajneri italian insiston se Behrami është një pasuri e rëndësishme e West Hamit dhe se nuk duhet të shitet për asnjë çmim.