E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’dalin jashtë

Sikurse në vitin e kaluar, ashtu edhe gjatë këtij afati kalimtar pritet që shumë pak futbollistë kosovarë t’ia dalin të transferohen nëpër klube të shteteve të huaja.

Ymer Xhaferi, Driton Krasniqi dhe Gjergj Bushaj janë tre lojtarët e vetëm të cilët janë transferuar deri më tani nga Kosova në klube të huaja gjatë këtij afati kalimtar, i cili do të mbyllet më 31 janar.

Menaxherët kosovarë të licencuar nga FIFA për transferime të futbollistëve, thonë se deri në fund të këtij afati kalimtar do ta kenë të vështirë t’ia dalin ta transferojnë edhe ndonjë futbollist tjetër nga Kosova në klube evropiane.

Menaxheri kosovar, Nexhmedin Haxhiu thotë se arsyeja kryesore që klubet e huaja nuk marrin lojtarë nga Kosova, është se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.

“Mendoj se gjatë këtij afati kalimtar shumë pak lojtarë do të dalin jashtë Kosovës. Shumë pak. Është shumë e vështirë për ne menaxherët t’i transferosh lojtarët nga Kosova nëpër klubet e tjera. Madje, vështirë është edhe vetëm t’ua sigurosh ndonjë klub për t’u provuar. Seriozisht shumë, shumë mbrapa jemi”, deklaroi Haxhiu për Express.

“Është vështirë, sepse askush nuk ka dijeni rreth futbollit kosovar, sepse Kosova ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s. Kur e propozojmë te klubet e huaja ndonjë lojtar kosovar, ata pyesin se ku luan. Ne ua tregojmë emrin e klubit kosovar ku luan futbollisti në fjalë, por ata nuk e njohin klubin dhe nuk kanë dëgjuar kurrë për klubet tona. Po duhet të kesh shumë lidhje të forta në mënyrë që të paktën t’ua sigurosh kosovarëve të paktën ndonjë provë”, theksoi ai.

Haxhiu i përmendi edhe disa arsye të tjera, sipas të cilave po vështirësohet mundësia e transferimit të futbollistëve kosovarë jashtë vendit.

“Kur ne i propozojmë në klubet e huaja lojtarët kosovarë, atëherë zyrtarët e atyre klubeve fillimisht kërkojnë ndonjë xhirim, ku mund ta shohin lojtarin në fjalë duke luajtur në ndonjë ndeshje. Ne nuk posedojmë xhirime kualitative, sepse televizionet tona nuk bëjnë xhirime të atilla, pasi nuk kanë kushte nëpër stadiumet tona për të bërë xhirime të mira”, shtoi Haxhiu.

Sipas tij, për futbollistët kosovarë, konkurrentë shumë të fortë janë lojtarët nga Afrika, numri i të cilëve është jashtëzakonisht i madh që kërkojnë të luajnë nëpër klubet evropiane.

Ndërsa, menaxheri tjetër kosovar, Shukri Asllani thotë se nuk do të mund ta transferojë asnjë futbollist nga Kosova gjatë këtij afati kalimtar, sepse lojtarëve kosovarë u mungon kualiteti i nevojshëm për t’i bindur zyrtarët e klubeve të huaja që t’i marrin në skuadrat e tyre.

“Nuk do të ketë asnjë transferim të lojtarëve nga Kosova në vendet e huaja gjatë janarit. Arsyeja kryesore është kualiteti, pasi në vendet ku unë kam kontakte, futbollistët duhet të jenë kualitativë për t’i bindur. Një arsyeje tjetër është edhe mosnjohja e futbollit kosovar nga klubet e huaja, pasi ne jemi të izoluar dhe nuk kemi mundësi që të luajmë në arenën ndërkombëtare”, tha Asllani për Express.

Njëjtë si Asllani është shprehur edhe menaxheri tjetër kosovar, Mërgim Bekteshi. “Nuk pritet të ketë ndonjë transferim gjatë janarit nga Kosova. Arsyeja është se lojtarët e Superligës së Kosovës nuk janë të përgatitur fizikisht. Po ashtu, klubet e huaja nuk kanë njohuri për futbollin e Kosovës dhe nuk mund ta transferojnë një lojtar pa e njohur. Ata kur vendosin ta transferojnë një lojtar, llogaritin menjëherë në shërbimet e tij”, shpjegoi Bekteshi për Express.

Deri më tani, Ymer Xhaferi nga KEK-u është transferuar te skuadra finlandeze, Jaro, Driton Krasniqi po ashtu nga KEK-u, ka kaluar në Shkumbin dhe Gjergj Bushaj nga Vëllaznimi në Dinamo Zagreb, por që menjëherë është huazuar tek Istra.

Ndërsa, Argjend Mustafa i Kosovës së Vushtrrisë po testohet në Akademinë e Dinamo Zagrebit, Agron Skeraj i Prishtinës në Koblenz, Bardhyl Kaçiu i Trepçës po provohet në Ahlen dhe katër futbollistët e Ferizajt: Shiqeri Alili, Avdyl Haliti, Labinot Shabani dhe Burim Shabani po provohen në klubin polak, MKS Odra.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›