E Diel, 1 Nëntor 2026

Civilizimi i politikës dhe politizimi i shoqërisë civile

30/01/2005  

Termi “shoqëri civile” është futur relativisht vonë në terminologjinë e politikës shqiptare, duke zëvendësuar termin “i pavarur”, i cili u përdor në fillimet e tranzicionit për të gjithë ata individë dhe grupe individësh, që nuk ishin angazhuar drejtpërsëdrejti në ndonjë parti politike. Deri në vitin 1997, pothuajse të gjithë intelektualët me zë të Shqipërisë, ishin të angazhuar (direkt apo në mënyrë të tërthortë) në politikë. Megjithatë, një pjesë e tyre dështuan në tentativat e para dhe u tërhoqën.

Socialistët ishin ata që e promovuan në Shqipëri më së shumti dhe më së pari termin “shoqëri civile”, në kohën kur futën në radhët e tyre disa figura të njohura dhe të spikatura të kësaj shoqërie. Kjo gjë u pa e nevojshme për shkak të krizës psikologjike dhe morale që ekzistonte në radhët e PS-së, si pasojë e së kaluarës së saj historike. Pas ardhjes në pushtet, më 1997, socialistët u desh të lëshonin shumë terren: në fillim për disa nga aleatët e vegjël, që kontribuan në mbajtjen gjallë të revoltave popullore si pasojë rënies së skemave piramidale (sidomos për ata që “kontribuan” në Vlorë); më pas pjesa më konservatore e socialistëve u detyrua të lëshojë terren për një gjeneratë të re brenda saj; dhe më tej socialistët promovuan disa figura liberale të shoqërisë shqiptare, që i përkisnin shoqërisë civile. Por, ndonëse aleatët e shfrytëzuan këtë fakt për të rritur relevancën e tyre në kurriz të socialistëve, kategoria e dytë dhe e tretë u shfrytëzua më së miri nga vetë socialistët, për të rregulluar imazhin dhe për të zgjatur jetën në pushtet. PS-ja u desh të bënte disa prova, për të kuptuar që më mirë është të bashkëpunosh me intelektualë dhe administratorë të aftë, të cilët përveçse në shërbim të vetes mund t’i vesh edhe në shërbim të komunitetit, sesa me parti inekzistente, brenda të cilave mungojnë programet, strategjitë dhe burimet e duhura njerëzore për të përballuar zhvillimet në Shqipëri. Vetëm bashkëpunimi i socialistëve me Edi Ramën për Bashkinë e Tiranës (dhe më pas rekrutimi i tij në parti), ka qenë më i suksesshëm se bashkëpunimi me të gjitha partitë aleate të marra së bashku.

Por promovimi që socialistët ju bënë disa intelektualëve të pavarur, apo përfaqësues të shoqërisë civile (tani e tutje do të përdoret ky term) u bë më tepër mbi baza të njohjeve personale, dhe për të rregulluar imazhin, sesa bazuar në ndonjë strategji të ndërtuar për tërheqjen e elementëve të spikatur të shoqërisë civile në politikë. Krejt ndryshe paraqitet situata në rastin e krijimit të Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) pranë PD. Ky komitet mund të konsiderohet padyshim si bashkëpunimi më i plotë, më i organizuar dhe më domethënës i arritur ndonjëherë ndërmjet politikës dhe shoqërisë civile. Nuk kanë aq shumë rëndësi numrat e personave të angazhuar së fundi në këtë ndërmarrje, sa ka rëndësi krijimi i një terreni të lirë në të djathtë (jo mbi bazën e njohjeve personale) për konkurimin e vlerave, programeve dhe strategjive në funksion të zhvillimit të vendit. Po ashtu nuk është me shumë rëndësi të gjykojmë nëse ishte PD-ja, ajo që kishte nevojë më shumë për të rigjeneruar forcat e saj, apo ishin vetë personat që patën nevojë që nëpërmjet PD-së të promovojnë më shumë veten e tyre (duhet pranuar se në politikë mund të bëhesh shumë më shpejt i njohur se jashtë saj), sa ç’është me rëndësi fakti se çfarë do të parashikojnë ata konkretisht për kapërcimin e disa problematikave, në të cilat ka ngecur procesi i reformave në Shqipëri; konkretisht, çfarë politikash do të imponojnë ata për të ulur evazioni fiskal, për të eliminuar korrupsionin galopant që bëhet në tenderimin e fondeve publike, për të eliminuar monopolet ekzistuese dhe për të ndaluar krijimin e monopoleve të reja, për të ndërtuar një polici dhe drejtësi të pastër, për të miratuar një legjislacion funksional etj., rrjedhojë e të cilave do të ishte rritja me ritmet e duhura e nivelit të jetesës në Shqipëri; shkurt muhabeti, sa do të arrijnë ata ta mbushin buxhetin e shtetit dhe në ç’masë do të mund ta shpenzojnë atë në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Qytetarët shqiptarë janë gati të mbështesin atë program politik që do t’i bëjë të ndihen më shpejt qytetarë të lirë evropianë, pra atë parti politike që do ta afrojë Shqipërinë më shpejt me standardet e BE-së. Sot shoqëria shqiptare duket tejet e politizuar. E politizuar në kuptimin që gjithçka buron nga politika dhe përfundon sërish te politika. Kjo shoqëri ka nevojë të çlirohet nga “pushtimi i politikës”, pra të civilizohet. Por, që të ndodhë kjo, në radhë të parë vetë politika ka nevojë të civilizohet, pra të jetë më afër interesave të qytetarit. Angazhimi në politikë mbi baza njohjeje personale, apo mbi mënyra të tjera të të tërthorta i disa intelektualëve të njohur nga shoqëria civile, deri sot, më shumë ka shërbyer për politizimin e tyre sesa për civilizimin e politikës shqiptare. Kështu, suksesi apo mossuksesi i angazhimit të fundit në politikë, pra KOP-it, do të varet së pari, nëse personazhet do të arrijnë të shpëtojnë nga politizimi i rëndomtë, siç ka ndodhur deri më sot në Shqipëri (duhet të kuptohemi, kjo nuk ka të bëjë me anëtarësimin ose jo të tyre në PD, por me pajtimin ose jo në të ardhmen me rutinën që çon në asgjësimin e projekteve etj.), apo do të arrijnë që të civilizojnë politikën dhe për pasojë edhe vetë shoqërinë shqiptare, pra nëse KOP-i është një përpjekje për të ecur përpara, apo thjesht një përpjekje individësh për të rregulluar pozicionet e tyre në raport me qeverisjen në të ardhmen; dhe së dyti, nëse lidershipi i PD-së do të krijojë hapësirat e duhura për konkurrimin e të gjitha vlerave të angazhuara brenda kësaj partie.

Edhe një fenomen tjetër, që po ndodh në politikën shqiptare: ndërsa politikani i identifikuar më së shumti me autoritarizmin në Shqipëri, lideri demokrat Berisha, ka dhënë mesazhin më të mirë të korrigjimit të vetvetes, përkundrazi kundërshtari i tij kryesor Nano, i konsideruar i linjës së butë, ka rënë pre e disa metodave autoritariste të përdorura nga Berisha afro 10 vjet më parë, metoda këto që u aplikuan në kongresin e fundit socialist. Akoma më keq paraqitet gjendja në disa parti të vogla, që ngjajnë më tepër me garnizone ushtarake sesa me subjekte politike. Kujtojmë psh., që PSD-ja, në kongresin e fundit, i nxori forumet e saj drejtuese jo nga salla e kongresit, por me porosi, nga shtëpia e kryetari të komisionit të zgjedhjeve të kongresit (votat u numëruan në shtëpi)! Nuk ka dyshim se pjesa kryesore e së majtës vazhdon të përjetojë, tendenca krize (këtu kam parasysh PS-në dhe raportet e saj me LSI dhe jo individë pa mbështetje që flasin për të majtën). Të majtët e vjetër, kanë rënë pre e atyre politikave, të cilat i patën kritikuar 10 vjet më parë te PD dhe Berisha. Por, megjithatë, akoma nuk mund të thuhet plotësisht se e majta është në krizë të plotë, ndërsa e djathta është në rigjenerim të plotë, pavarësisht se në të majtë po shtohen numerikisht forca si pasojë e ndarjes, ndërsa në të djathtë po reduktohen numerikisht forca si pasojë e rigrupimit. Politika shqiptare po përjeton pjesë të një cikli, që mund të ketë si përfundim shfaqjen e figurave dhe grupeve të reja konkurruese të munguara gjatë. Kësisoj, pavarësisht nga dëshirat, nuk duhet të humbim më kohë me shprehje standarde si “ka ardhur koha që ky ose ai të ikë”, por duhet të kuptojmë se vetëm konkurrenca politike do të ulë gradualisht ata që duhet të ulen dhe do të ngrejë disa të tjerë që duhen ngritur. Kjo do të ishte një nga rezultatet e para të civilizimit të kërkuar të politikës në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›