E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshimet, Angjelini vrau të ëmën

31/01/2005  

Angjelin Kroni mund të ketë vrarë të ëmën. Ky është dyshimi i fundit që ka lindur në organet policore, pas arrestimit të 40-vjeçarit mbrëmjen së së premtes, në qytetin e Shkodrës. Ka gjasa që i arrestuari të ketë qëlluar mbi Filen 59-vjeçare në 15 maj të vitit të shkuar, për të ngushtuar ndjeshëm numrin e trashëgimtarëve të pasurisë së familjes. Mbetet në mes të katër rrugëve Eljona, nusja e Ardianit të vrarë në Venezuelë dhe 2 vajzat e saj të vogla. Angjelin Kroni nuk i njeh ato si kunatë e mbesa.

Dyshimi

Nëse File Kroni do të kishte vrarë me të vërtetë veten, i biri, Angjelini, nuk kishte asnjë arsye të vetme për të fshehur armën e krimit. Kjo është pika ku mbështeten dyshimet e bluve. 40-vjeçari ka tentuar ta zhdukë armën me silenciator, e cila nuk dihet ende sesi ka përfunduar në duart e viktimës 59-vjeçare. Ndonëse djali i madh i familjes Kroni u vu në pranga nën akuzën e fshehjes së armës fillimisht, tani dyshohet se ai ka shkuar dhe më larg. Burime policore që mbështeten në informacione të marra në rrugë operative, bëjnë të ditur se të shumta janë gjasat që, Filja të ketë vdekur nga plumbat e armës që është mbajtur nga i biri. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë qenë 2 kushërinj të afërt të familjes, që kanë dëshmuar në favor të Angjelinit, por uniformat mbeten skeptikë në këtë drejtim. Ai dhe e ëma ishin trashëgimtarët e vetëm të pasurisë së tyre, përjashto këtu Armandon, vëllain tjetër, që gjendet në burg në Itali. E ëma e tij do të njihte atësinë e vajzave të Ardianit, vdekur në aksident në Venezuelë. Kësisoj do të shtohej numri i trashëgimtarëve. Hamendjet e bluve kujtojnë natën e krimit. I arrestuari tentoi ta hidhte pistoletën e vrasjes apo vetëvrasjes nga muri i avllisë së fqinjit, i cili nuk e lejoi. Djali i viktimës ishte i dyshuari si ekzekutor i së ëmës, që në çastet e para të zbulimit të kufomës. Ishte ekspertiza ajo që e nxori të larë 40-vjeçarin. Sipas saj, File Kroni kishte vrarë veten me një plumb në zemër.

Gjyqet

Pak ditë pas vdekjes së Ardian Kronit në Venezuelë, Angjelini kthehet në Shqipëri. Ishte hera e parë pas 10 vjetësh emigracioni në SHBA, që ai vinte në tokën amë. Duket se 40-vjeçari kishte bërë shumë plane me mendjen e tij. Me të ardhur në Shkodër, ai u rrek t'i vinte ato në jetë, duke mos marrë parasysh dhimbjen e së kunatës për humbjen e të shoqit, ai tentoi t'i propozonte për martesë. Në këtë mënyrë do të përfitonte dhe pjesën e pasurisë që i takonte asaj dhe vajzave. Refuzimi i Eljonës nuk i bëri aspak përshtypje Angjelinit, i cili vijoi dhe më tej përpjekjet e tij. Por jo për shumë kohë. Ai mësoi se, Ardiani dhe Eljona nuk kishin kurorë në gjendje civile dhe se 2 vogëlushet nuk ishin regjistruar në certifikatën familjare. Të njëjtat burime saktësojnë se për të zhdukur çdo provë të mundshme, emigranti i Amerikës zhduku të gjitha fotografitë familjare të të vëllait të vdekur me familjen e tij. Në këtë mënyrë mendonte se nuk do të kishte asnjë provë që të vërtetonte martesën e Eljona Pecit me Ardian Kronin. Procesi gjyqësor që hapi kunata për të fituar atësinë e vajzave të vogla, ai iu përgjigj negativisht, duke i thënë se asnjëherë nuk do të mund ta fitonte atë. Filja, nëna e tij, pranoi të dilte dëshmitare për ish-nusen në gjyqin e 29 majit të vitit 2004. Por, 15 ditë para se të dëshmonte para togave të zeza, ajo vdiq nga plumbat e pistoletës me silenciator. Gjyqet vijojnë ende, por Angjelin Kroni është paraqitur vetëm në një prej seancave. Ai ka pohuar se, Eljona ka qenë një nga të dashurat e shumta të të vëllait dhe se vajzat nuk janë të Ardianit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›