E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton: SHBA në garë me Kinën

Nga Express më 03 mars 2011 në ora 12:46

SHBA-ja rrezikon të mbetet prapa Kinës në garën për ndikim global, pasi që Pekini po përpiqet që të rreshtojë prapa vetës shtetet e rajonit të Paqësorit, i pasur me burime natyrore, deklaroi sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton.

Kjo deklaratë jashtëzakonisht e ashpër e Clintonit para Komitetit të senatit për marrëdhënie me jashtë do të hidhërojë me gjasë Kinën, në veçanti pas vizitës së paradokohshme në Washington të presidentit kinez, Hu Jintao, gjatë se cilës u bisedua për forcim të besimit dhe të shkëmbimit tregtar mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

Duke u angazhuar që SHBA-ja të mos reduktojë ndihmat ndërkombëtare, Clinton theksoi se SHBA-ja është në garë për ndikim me Kinën.

“Le të lëmë anash anën humanitare, në të cilën besojmë. Te flasim për real-politikë. Ne jemi në garë me Kinën”, tha Clinton.

Ajo më tutje akuzoi Kinën se po mbështetë regjimin diktatorial në Fixhi dhe tha se Kina ka qenë nikoqire e pothuajse të gjithë udhëheqësve të shteteve të vogla të Paqësorit.

Clinton nënvizoi se ndihma amerikane për botën e jashtme është e rëndësishme si nga aspekti moral, ashtu edhe humanitar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›