Letra e Djegur e Jupës
Kanë përfunduar xhirimet e dokumentarit televiziv “Letër e Djegur”, i autores Remzie Isufi. Dokumentari ka për qëllim ndriçimin e vrasjes së atdhetarit, Hajdar Jupa, nga Beci i Gjakovës, që, sipas gazetarit Ilir Hajdarit, ka bërë të pamundurën që e vërteta për luftën dhe aktivitetin e tij të dal në dritë.
Sipas Hajdarit, dokumentari është një mision shumë i rëndësishëm, sepse paraqet përpjekjen e fundit për të nxjerrë në dritë personalitetin, vrasjen dhe vendvarrin e këtij njeriu, një dëshirë kjo që e kishin ëndërruar dy brezat e familjes së Hajdar Jupës - të cilët nuk jetojnë më.
“Shpesh kam dashur të nisem në këtë rrugë, për të ndriçuar një vrasje që kishte ndodhur këtu e 67 vjet më parë, por s’ishte koha... E tani, kur erdhi koha, mungonin dëshmitarët...”, thekson protagonisti kryesor i projektit, Ilir Hajdari.
Hajdari e ka përjetuar me dhimbje çdo vdekje të dëshmitarëve, duke i parë ato si edhe një mundësi më pak për dëshmimin e ngjarjes.
Megjithatë, në fund ka vendosur që të laj borxhin ndaj njeriut që ishte vrarë diku, duke i mbrojtur kufijtë e atdheut, e të cilit as sot nuk i dihet varri. Sipas Hajdarit, ideja për të realizuar një dokumentar të tillë televiziv i erdhi vitin e kaluar.
“Ndodhi kjo teksa po bëja një vizitë tek farefisi im, në Bec. Aty ishim të gjithë nipat e Hajdar Jupës, bashkë. Po atë natë vendosa që ta heq sedrën e modestisë, të cilën kjo familje e kishte bartur brez pas brezi, andaj, pa ngurruar e ngrita çështjen që më kishte munduar një kohë të gjatë”, kujton Hajdari.
Ai është i bindur se realizimi i këtij dokumentari është vetëm fillimi i shpagimit të borxhit ndaj gjakut që e derdhi xhaxhai i tij për atdhe.
Ndërkaq, autorja e dokumentarit, Remzije Isufi, ndjehet shumë e kënaqur me atë që është punuar deri më tani.
“Është një nga dokumentarët më të mirë që kemi realizuar deri më tani, sepse edhe rrëfimi dhe shtjellimi i ngjarjes e bëjnë atë tejet të veçantë. Në qendër të tij është një gazetar, i cili pas 67 vitesh kërkon të zbardh të vërtetën për vrasjen e axhës dhe të zbulojë varrin e tij”, thotë Isufi.
Ndryshe, dokumentari, “Letër e Djegur” ka filluar të xhirohet në nëntor të vitit të kaluar, kështu që tani është në fazën përfundimtare të realizimit. Premiera pritet të shfaqet në Radiotelevizionin e Kosovës, gjatë muajit mars.
Për Hajdar Jupën
Kush është Hajdar Jupa?
Nga të dhënat e familjarëve rezulton se Hajdar Jupa u lind në fshatin Bec, komuna e Gjakovës, në vitin 1914.
Si fëmijë Hajdari e kishte përjetuar rëndë plagosjen e të atit nga plumbat e pushtuesve. Babai i tij, Dervish Jupa, nga përplasjet me armikun kishte marrë 36 plagë në trupin e tij.
Në odën e burrave të kësaj familjeje vinin njerëz me nam të kësaj ane të Kosovës, si Azem Bejtë Galica, Mehmet e Adem Agë Rashkoci, Ymer Berisha, Demë Ali Pozhari, Mehmet Agë Berisha, Ramë Binaku i Dashinocit, Maxhun Nimoni, Qel Shabani, etj.
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore, Hajdar Jupën e gjen të angazhuar si Masakra e prillit të vitit 1941 në Bec, kur serbët vranë rreth 20 gra, fëmijë e pleq, dhe kur e kishin djegur e plaçkitur gjithë katundin, e kishte nxitur Hajdar Jupën për të kapur armën, për të ndjekur çetnikët deri në Livadh të Gjakut, ku edhe kishte rënë heroikisht, në vitin 1944.