Clinton kërkon bojkotimin e Sirisë
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, u ka bërë thirrje disa vendeve për të ndaluar blerjen e naftës dhe gazit nga Siria, në mënyrë që të bëhet trysni ndaj presidentit, Bashar al-Assad, për shkak të aksioneve brutale ndaj protestuesve.
Clinton i ka bërë thirrje Kinës, Indisë, si dhe vendeve të tjera evropiane për të vendosur sanksione të energjisë.
Ajo i kërkoi gjithashtu Rusisë, që të braktisë praktikën e saj, për shitjen e armëve në Siri.
Clinton në mënyrë eksplicite ka kërkuar që Assad të japë dorëheqje.
Ndërkaq, thirrjen zyrtare drejtuar Assadit që të japë dorëheqje, administrata e presidentit Barack Obama ka vendosur ta bëjë në ditët e ardhshme.
Të premten, trupat siriane kanë vazhduar goditjet e përgjakshme në gjithë vendin mbi protestuesit anti-qeveritarë.
Aktivistët dhe dëshmitarët thanë se së paku 11 protestues u vranë në protesta, pas lutjes të së premtes.
Nisur nga dhuna në vazhdim në Siri, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet javën e ardhshme përsëri në një seancë të veçantë.
Lidhur me gjendjen aktuale në Siri do të informojnë e ngarkuara për të drejtat e njeriut e OKB-s, Navi Pillay.