E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët grekë mësyjnë jugun shqiptar

Nga Express më 13 gusht 2011 në ora 11:15

“Deti është i mrekullueshëm, hoteli me kushte shumë të mira dhe paguajmë vetëm 50 euro për një dhomë dyshe, me ushqimin dhe gjithçka tjetër të përfshirë. Për fëmijët çmimi është 25 euro dhe gjithandej dëgjojmë të flitet greqisht”.

Kështu shprehet, Aleksandra Kirici, një qytetare greke e cila sapo është kthyer në Athinë pas pushimeve dhjetëditore me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre në Himarë.

Ndërkohë, me mijëra shtetas grekë po shijojnë pushimet e tyre verore në bregdetin shqiptar, në Adriatik dhe Jon.

Në Sarandë për shembull, mjaftojnë 100 euro në ditë që një çift të kalojë pushime të mrekullueshme dhe me të gjitha kushtet, shkruan e përditshmja “Proto Thema”, në një reportazh të realizuar këto ditë në Shqipëri.

“Të paktën 30 për qind e klientëve që kemi sivjet janë grekë”, thotë S.Ruci, menaxher i një hoteli të madh në Himarë. “Çdo vit po rritet numri i turistëve që na vijnë nga Greqia dhe këtë vit ca më shumë”, shtoi ai.

Përpos kësaj, kushtet në hotelet shqiptare dhe çmimet e tyre, po i nxisin grekët që të mësyjnë plazhin shqiptar, sidomos atë të jugut.

Ata që vijnë më shumë janë nga Athina dhe Greqia Veriore, duke konsideruar se “shkojnë në Shqipëri me pushime, se atje është më lirë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›