Clinton mbështet iranianët
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka shprehur mbështetje për aspiratat e atyre që dolën në rrugët e Iranit të hënën.
"Ne mbështesim të drejtat universale të njeriut edhe për popullin iranian. Ata meritojnë të njëjtat të drejta që i pamë të kërkohen në Egjipt dhe ato janë pjesë të të drejtave legjitime", tha Clinton.
Mijëra vetë dolën në rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera iraniane, në shenjë solidarizimi me protestat në Egjipt dhe në Tunizi.
Është raportuar për një të vrarë dhe disa të plagosur gjatë protestave të së hënës. Viktima thuhet se ka qenë "një kalimtar".
Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se të paktën tre demonstrues janë dërguar në spital të plagosur me armë zjarri, të tjerë janë rrahur.
Clinton tha se protestuesit ishin një shfaqje guximi e popullit iranian dhe një akuzë ndaj hipokrizisë se regjimit iranian, i cili gjatë tri javëve të fundit ka përgëzuar protestat anti- qeveritare në Egjipt.
Protestat u zhvilluan në disa zona të Teheranit dhe në pjesë të tjera të vendit.
Dhjetëra mbështetës të opozitës janë arrestuar.
Energjia elektrike dhe shërbimet e telefonisë së mobile ishin ndërprerë gjatë protestës në qendër të Teheranit.