E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama paraqiti projekt-buxhetin për vitin 2012

Nga Express më 15 shkurt 2011 në ora 12:30

Presidenti amerikan, Barack Obama, theksoi se duhet të bëhen zgjidhje të dhimbshme për të rregulluar financat e Amerikës.

“Kam bërë thirrje për një ngrirje në shpenzimet vjetore për çështje të brendshme, gjatë pesë viteve të ardhshme. Kjo ngrirje do të shkurtonte deficitin për më shumë se 400 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme, duke zbritur këtë lloj shpenzimesh – harxhimet e kontrollueshme vendore – në shkallën më të ulët në raport me ekonominë e vendit që nga presidenca e Dwait Aisenhauerit”, tha Obama.

Buxheti i presidentit autorizon shkurtime në shpenzimet e mbrojtjes, ruajtjes së mjedisit dhe shumë projekte të tjera qeveritare.

Projekti llogarit në rritje të shpejtë ekonomike gjatë viteve në vijim dhe kufizon zbritjet në tatime për të pasurit, por edhe lehtësimet tatimore për korporatat. Në përgjithësi, ulja e deficitit është paraparë të jetë më shumë se 1 biliardë gjatë dekadës së ardhshme.

Duke folur në një shkollë fillore në Baltimor, Obama tha se Amerika duhet të vazhdojë të investojë me shikimin drejt së ardhmes.

“Jam i bindur se nëse ndërtojmë, sjellim risi dhe arsimohemi më shumë e më shpejt se pjesa tjetër e botës, vendet e punës dhe industritë e kohës sonë do të zënë fill këtu në Shtetet e Bashkuara. Populli ynë do të përparojë dhe vendi ynë do të korrë sukses”, tha Obama.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›