E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeorgjia me strategji për Abhazinë dhe Osetinë e Jugut

Qeveria e Gjeorgjisë ka miratuar strategjinë e re për enklavat separatiste, Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, strategji kjo e cila parasheh metoda paqësore për zgjidhjen e konfliktit.

“Gjeorgjia nuk synon që të ripërtërijë tërësinë e vet territoriale me mjete ushtarake. Kjo temë nuk është në rend të ditës”, deklaroi Ministri i Gjeorgjisë për Ri-integrim, Temur Jakobashvili.

Ai theksoi se ripërtëritja e tërësisë territoriale është e mundshme dhe se ky proces quhet “de-okupim”, duke nënvizuar se qytetarët gjeorgjianë, të cilët jetojnë në Abhazi dhe Osetinë e Jugut, nuk duhet të jenë të izoluar.

Dokumenti i aprovuar quhet “Pjesëmarrja nëpërmjet bashkëpunimit” dhe parasheh financimin shtetëror dhe joshjen e mjeteve të investuesve dhe së shpejti ky dokument do të shpaloset edhe para organizatave ndërkombëtare. Prezantimi i parë është paraparë më 3 shkurt, në selinë e Këshillit të Europës në Strasburg.

Jakobashvili theksoi se dokumenti do të prezantohet edhe në OSBE, OKB, BE, e nuk e përjashtoi mundësinë që ai të prezantohet edhe gjatë diskutimeve në Gjenevë për sigurinë në rajonin e Kaukazit.

Sa i përket zbatimit të dokumentit, Jakobashvili theksoi se deri në qershor do të përgatitet plani për zbatimin e tij, e më pas do të fillojë puna për joshjen e donatorëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›