E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli: Ish-kreu i PDK-së Malësi e Madhe, korrier droge

Adriatik Coli, i penduari i kësaj bande tha gjatë seancës së djeshme, se Keka kishte shërbyer si korrier droge nga Mali i Zi për llogari të kësaj bande.

Dëshmia e pazakontë në fakt, ka lënë pa fjalë trupin gjykues dhe të pranishmit në sallë. Sipas të penduarit, sasitë e drogës kalonin përmes pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Keka luante rolin e korrierit. Adriatik Coli nuk e kishte përmendur asnjëherë më parë emrin e Aleksandër Kekës, as kur kishte dëshmuar në cilësinë e të penduarit. 

Gjatë seancës maratonë prej më shumë se tetë orësh, Coli ka rrëfyer gjithçka dinte për bandën, kur në sallë ishin edhe ish-miqtë e tij, Lulzim Berisha e Indrit Dokle. I penduari tha se Keka merrej me trafikun e drogave të forta. Ish-kreu u Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe u vra pesë muaj më parë.

Aso kohe, Nard Ndoka kreu i PDK-së, e quajti një vrasje politike, duke akuzuar madje edhe numrin dy të Partisë Demokratike Jozefina Topalli.

Por deklarata e djeshme e këtij të pandehuri, i ka dhënë një drejtim tjetër vrasjes së Kekës. Dëshmia nuk është pritur mirë në sallën e gjyqit, duke sjellë reagime të ashpra të avokatëve.

 “I pandehuri Adriatik Coli po flet për fakte të cilat as që i ka përmendur në dëshminë si i penduar dhënë para Prokurorisë. Ndaj, duhet te mendohet mirë”, - janë shprehur avokatët. Adriatik Coli pritet të japë edhe pjesën e fundit të dëshmisë në seancën e radhës.

 “Banda e Durrësit” akuzohet për krime të rënda, si vrasje, atentate, trafiqe. Banda kriminale ka vepruar në qytetin bregdetar nga viti 1992 deri në 2005.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›