E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE: Opozita të kthehet sa më shpejt në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë bëri të ditur sot se gjatë takimeve të vjeshtës të mbajtura në Athinë në datat 9-12 Tetor, zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck (Austri), Kryetari i Delegacionit të Italisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Riccardo Migliori, anëtari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Christian Miesch (Zvicër), si dhe Alcee Hastings, anëtar i Kongresit amerikan, bashkëkryetar i Komitetit amerikan të Helsinkit, që morën pjesë në hartimin e raportit final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, vlerësuan se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan të lira dhe të ndershme.

Ata theksuan se ky ishte një hap maturie për Shqipërine dhe se presin që edhe opozita të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të  futet sa më shpejt në Parlament.  Sipas të njëjtave burime, në raportimin e tij zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, theksoi se "Konkluzioni ynë është që zgjedhjet ishin të lira e të ndershme dhe në rrugën e drejtë të një demokracie të plotë.

Është për të ardhur keq, që opozita nuk po merr pjesë në parlament. Pjesë e pjekurisë demokratike është edhe të pranosh rezultatin e zgjedhjeve, dhe shpresoj që partia e opozitës të marrë sa më shpejt pjesë në parlament. Kjo është e vetmja rrugëdalje për të zhvilluar më tej demokracinë". Gjithashtu, edhe anëtarë të tjerë të misionit vëzhgues shprehën opinion pozitiv për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke kërkuar hyrjen e opozitës në Kuvend.

"Shpresoj që drejtuesit e opozitës shqiptare të verifikojnë rezultatet e vëzhgimit tonë, të Këshillit të Evropës, të Parlamentit Evropian, pasi sipas mendimit tonë, zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira e të drejta.  Qytetarët kanë votuar partinë e Kryeministrit Berisha, por jo pak prej tyre kanë votuar edhe për Partinë Socialiste dhe këta qytetarë duhen përfaqësuar. Eshtë një gabim, një deformim i demokracisë fakti që këta parlamentarë të mos ulen në parlament", u shpreh anëtari i misionit vëzhgues Riccardo Migliori, kryetar i Delegacionit të Italisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, bënë të ditur burime të Zyrës së Shtypit , të Kuvendit.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›