Gjobat e papaguara, bllokohen 41 automjete
Rikthehet bllokimi i automjeteve për personat që nuk paguajnë gjobat e marra për shkeljet e qarkullimit rrugor, ndërkohë që një tjetër aksident është regjistruar dje, por fatmirësisht me pasoja jo të rënda. Policia e Tiranës bëri të ditur se për aksidentin e ndodhur filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Bujar Ramën, 48 vjeç, banues në Tiranë. Ky person, rreth orës 15.30, në rrugën "Jordan Misja", duke drejtuar motorin "Yamaha" pa targa, ka aksidentuar fëmijën Esmeralda C., 5 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila pas mjekimit ndodhet në banesë. Nga ana tjetër, policia rrugore ka ndërmarrë kontrolle dhe masa ndëshkuese të tjera, ku janë pezulluar për mosshlyerje të detyrime 414 leje qarkullimi të mjeteve dhe janë bllokuar 41 automjete, ndaj atyre drejtuesve të cilët nuk kanë shlyer detyrimet që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Pas shlyerjes së detyrimeve, 34 pronarë i morën sërish mjetet, ndërsa shtatë mjete aktualisht ndodhen të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore, deri në shlyerjen e detyrimeve të tyre. Sa më sipër, për 414 leje qarkullimi të pezulluara, 265 drejtues mjetesh i kanë shlyer detyrimet e tyre, ndërkohë që ende mbahen "peng" 149 leje qarkullimi. Ndërsa nga Posta Shqiptare janë arkëtuar 1210 masa administrative. Nga ana tjetër, gjatë ditës së djeshme, nga shërbimet e policisë janë konstatuar dhe vendosur 1566 masa administrative, me vlerë 1.925 000 lekë, si edhe janë pezulluar gjashtë patenta.
Ble. Gi.
Ble. Gi.