E Diel, 1 Nëntor 2026

Supermasat nuk i ndalojnë aksidentet, shënohen edhe gjashtë të plagosur

Përplasjet

Gjashtë persona janë plagosur nga aksidentet rrugore, duke e shtuar edhe më shumë numrin e të dëmtuarve nga ky fenomen që nuk po shkëputet nga rrugët e kryeqytetit. Sipas të dhënave, në lidhje me këto aksidente janë marrë masa të ashpra për shkaktarët e tyre, duke u dërguar për ndjekje penale. Policia deklaroi se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Ergys S., 22 vjeç, sepse në orën 12:00, tek kryqëzimi “Siri Kodra”, duke drejtuar motorin “Honda” TR 058 F, ka aksidentuar këmbësoren Adelina G., 39 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Agron R., 38 vjeç, sepse në orën 16.00, në Kamëz, duke drejtuar mjetin Benz, me targë TR 97 58 J, ka aksidentuar këmbësoren Merjeme D., 74 vjeçe, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, një makinë është përplasur me një motor, duke aksidentuar drejtuesin e mjetit të fundit. Sipas policisë, për këtë u dërgua për ndjekje penale në gjendje të lirë Elson S., 25 vjeç. Nga të dhënat rezulton se rreth orës 15.00, në Shkozë, duke drejtuar mjetin BMV TR 01 79 K, 25-vjeçari ka aksidentuar motoçiklistin Denaldo K., 19 vjeç. Menjëherë, ai është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa përplasja mes dy mjeteve ka sjellë plagosjen e dy femrave. Nga të dhënat e policisë mësohet se për këtë u dërgua për ndjekje penale Fatos D., 55 vjeç. Nga të dhënat mësohet se në orën 20:45, në Kombinat, duke drejtuar mjetin “Pezho”, me targa TR 92 70 A, ai është përplasur me mjetin “Mercedes Benz”, TR 81 96 L, me drejtuese Meri K., 46 vjeçe. Nga ky aksident ka mbetur e plagosur Meri dhe pasagjerja Elsa S., 31 vjeçe, të cilat ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Aksidenti i fundit ka sjellë plagosjen e një këmbësori. Sipas policisë, Xhaferr M., 48 vjeç, rreth orës 18.00, në Rrugën e Durrësit, te firma “Fiat”, duke drejtuar mjetin “Volkswagen”, me targa 343 KS 093, ka aksidentuar këmbësorin Petrit H., 67 vjeç, jashtë rrezikut për jetën.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›