Albanian Airlines, ulje e detyrueshme në Rinas
Incidenti
Përsëri probleme me të njëjtën kompani. Këtë herë, në linjën Tiranë-Torino
Një defekt gjatë udhëtimit për në Torino ka detyruar pilotin e avionit të “Albanian Airlines” të rikthehet në Aeroportin e Tiranës. Pas një rruge të shkurtër, piloti konstatoi shenja anormale të agregateve dhe njoftoi për ulje të menjëhershme. Ngjarja ndodhi dje pasdite, kur një nga avionët e “Albanian Airlines”, gjatë udhëtimit Tiranë-Torino, hasi në vështirësi pilotimi. Drejtues të kompanisë thanë për “Shqip” se ulja e detyrueshme nga vendi i nisjes erdhi për shkak të dyshimeve për defekt. “Po shikojmë të gjitha mundësitë për t’i zgjidhur sa më shpejt. Në të kundërt, do të vendosim një tjetër avion për t’i çuar pasagjerët në destinacion. Ky problem ndodh në të gjitha linjat dhe shoqëritë ajrore”, tha përfaqësuesi i shoqërisë. “Albanian Airlines” është pronë e një shoqërie azerbajxhanase, e cila ia bleu aksionet kompanisë arabe “Al-Kharafi”. Qeveria shqiptare e privatizoi agjencinë e saj që në vitin 1995, me qëllim zhvillimin e tregut dhe arritjen e standardeve. Pavarësisht ligjeve dhe monitorimeve, sërish tregu i transportit ajror ka hasur në probleme. Burime nga Drejtoria e Aviacionit Civil pohojnë se ankesa vijnë nga klientë të ndryshëm për të gjitha kompanitë.
#