E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli rrëfen 3 vrasje e dy plagosje

 

Armand Bajrami

I penduari i “Bandës së Durrësit”, Adriatik Coli, dëshmoi dje për 5 orë me radhë para Gjykatës për Krimet e Rënda, episode për të cilat akuzohen anëtarët e kësaj organizate kriminale. Togat e zeza u njohën gjatë dëshmisë me ngjarje që datojnë në vitin 1998, vrasja e Dritan Sollakut, Viron Currit, Arjan Pajës dhe vrasja e mbetur në tentativë ndaj Marsel Sotirit si dhe disa plagosje. Duke qëndruar në vendin e dëshmitarëve, i penduari Coli, dëshmoi deri në momentin që u lodh, çka u bë shkak për shtyrjen e seancës. Burime pranë seancës me dyer të mbyllura pohuan se në dëshminë e tij i penduari iu përmbajt deklarimeve të dhëna më parë në prokurori.
Vrasja e Dritan Sallakut
Në vitin 1998 qëllojnë me kallashnikovë tek shtëpia e tyre, tek dritarja e kuzhinës, Redi dhe Plarent Dervishin, por nuk u godit asnjë nga ata. Më pas doli që atë natë kishin qëlluar Tan Sallaku dhe një shtetas tjetër që e thërrisnin “Torra”, emri i vërtetë është I.N., me banim në Shkozet. Të nesërmen, Luli më mori në telefonin e shtëpisë dhe më tha hajde në Spitallë. Shkova në Spitallë dhe u takova me Lulin tek klubi i Latës. Në atë kohë, jashtë lokalit ishin Lulëzim Berisha, Plarent Dervishi, Ilir Xhunga dhe Klodian Saliu. Ata po bisedonin me njëri-tjetrin. Sa shkova unë, Luli më tha që do shkosh në Tiranë, tek një lokal i njohur. Luli më tha që do takosh një shtetas me emrin Geri. Luli më tha që do takosh Gerin dhe do t`i marrësh makinën dhe do ta sjellësh në Spitallë. Shkova takova Gerin, të cilin e kisha takuar edhe 2–3 herë tjera tek shtëpia e Plarentit. I thashë Gerit që Luli më kishte thënë për t`i marrë makinën dhe ai më dha një makinë tip “BMW” 325 me ngjyrë gri e zezë me targa TR, numrat nuk më kujtohen. Mora makinën dhe shkova në Spitallë, ku më priste Luli. Lashë makinën dhe ika në shtëpinë time. Në darkë, rreth orës 18:00 shkova përsëri në Spitallë, ku takova Klodin, Plarentin, Ilirin dhe Lulin. Këta ishin jashtë lokalit, po bisedonin dhe po bënin plane si të qëllonin Tan Sallakun. Ata e dinin që Tani rrinte në një lokal afër shkollës “7 nëntori” dhe çuan një person që ta ruante dhe t`i lajmëronte kur Tani të shkonte atje. Unë nuk e dija se kush do t`i lajmëronte, por do të flisnin me telefon celular, pasi në atë kohë kishin dalë numrat e celularit. Luli dhe Klodi kishin celular me “20”, po unë nuk ia mbaj mend numrat, se ka kaluar kohë e gjatë. Rreth orës 19:30–20:00 të darkës, ata u lajmëruan se Tani kishte ardhur te lokali. Ata hipën në makinën “BMW”, që solla unë nga Tirana. Luli ishte shofer, në vend të parë hipi Klodi, ndërsa mbrapa hipën Plarenti dhe Ilir Xhunga. Plarenti kishte një armë “Skorpions”, Klodi kishte pistoletë dhe Ilir Xhunga kishte pistoletë. Unë qëndrova tek lokali. Pas 10 minutash, ata u kthyen me shpejtësi dhe Luli ma bëri me dorë nga makina që të ikja. Unë ika në shtëpi dhe kur shkova atje mora vesh se ishte vrarë Dritan Sallaku dhe ishte plagosur Torra dhe Gim Rexhepi. 
Vrasja e Viron Currit e Arjan Pajës, plagosja e Marsel Sotirit
Mbas disa ditësh shkova në Shkozet, me kërkesë të Lulit dhe aty gjeta Lulin, Plarentin, Ilir Xhungën, Klod Saliun dhe dy djem nga Elbasani që nuk i kam njohur në atë kohë, pasi kam ndenjur jo më shumë se 5 minuta. Ata ndenjën rreth 3 apo katër ditë dhe mora vesh që kishin plane për të vrarë Marsel Sotirin, pasi ky ishte më i fuqishëm se Dritan Sallaku dhe kishte rrjet më të madh shoqëror. Ia kishin frikën atij. Gjatë kësaj kohe, nuk e realizuan dot goditjen e Marselit dhe shkuan për të qëndruar te shtëpia e gjyshit të Lulit në kodrën e Rrashbullit. Kjo ishte një shtëpi njëkatëshe me oborr. Pas dy ose tre ditësh, te shtëpia në Rrashbull filloi të mblidhej gjithë shoqëria e Lulit. Atje erdhën Plarenti, Ilir Xhunga, Klodian Salihu si dhe unë. Ndonjëherë unë shkoja vetë dhe ndonjëherë më thërrisnin ata. Aty flitej se si do të organizonin vrasjen e Marsel Sotirit. Dua të sqaroj se Marseli atë kohë punonte në doganën e Tiranës dhe për lëvizjen e tij, na jepnin informacion. Gjithashtu, për të kontrolluar lëvizjet e Marselit kur vinte në drejtim të Durrësit kishim lënë Julian Meçen në Maminas, i cili do të lajmëronte në telefon celular për mbërritjen e Marselit. Vëzhgimi për lëvizjet e Marselit vazhdoi për dy a tre ditë. Ditën e ngjarjes në mëngjes, më thërret Luli në telefon dhe unë shkova me furgon tek shtëpia e gjyshit të Lulit dhe atje gjeta Lulin, Klodin, Plarentin dhe Ilir Xhungën dhe aty qëndruam deri në mesditë. Aty u morëm vesh se Juli kishte dalë për të vëzhguar Marselin në Maminas, i cili lëvizte me makinën e doganës. Ajo ishte një makinë fuoristradë me ngjyrë ulliri me fenelinë. Rreth mesditës, mori në telefon Juli dhe lajmëroi Lulin se po vinte Marseli. Atëherë Luli na tha “Hajdeni shpejt se po vjen”. Lulzim Berisha, Klodian Saliu, Plarent Dervishi dhe Ilir Xhunga hipën në makinën tip “Golf”, duke marrë secili nga një automatik kallashnikov në dorë. Në timon hipi Luli, në vendin e parë të pasagjerit hipi Klodiani dhe dy të tjerët hipën mbrapa. Mua më lanë si detyrë që të merrja makinën “Lancia” dhe të shkoja t`i prisja tek shinat e trenit, tek unaza. Në makinën që hipi Luli ishte një paruke, më duket me ngjyrë të zezë dhe tre kapele sportive me strehë të gjata para. Ata u nisën para meje dhe u shkëputen nga unë, ndërsa unë mora “Lancia”-n dhe rrugës për tek Unaza rashë në një gropë me ujë, që ndodhej poshtë shinave të trenit. Unë kërkova ndihmë në një shtëpi aty pranë, ku ngeci makina, në krahun e djathtë të rrugës për në plazh.  Aty doli një burrë i moshës 40 vjeç, nxori makinën e tij me të cilën tërhoqi “Lancia”-n, derisa e nxori nga gropa. Unë i thashë nëse mundesha ta lija makinën në oborrin e tij dhe të shkoja të nesërmen ta merrja dhe ai pranoi. Dua të theksoj se para se të ikja, pashë pozicionin ku kishte ndaluar “Golf”-i. Ai ishte afër një ferre të madhe, ku zunë pozicionin Luli, Plarenti, Klodiani, Iliri.
Në atë pozicion kryqëzohej rruga e trenit me rrugën automobilistike Tiranë-Durrës dhe makinat që kalonin aty ishin të detyruara të ulnin shpejtësinë. Pasi lashë makinën e prishur tek oborri, unë prita Lulin megjithë shokët e tjerë. Pas rreth 10 minutash, Luli bashkë me shokët e tjerë erdhën në këmbë drejt meje. Ata panë makinën që ishte prishur, Luli më bëri shenjë me dorë që të largohesha. Ata u nisën në drejtim tjetër dhe unë në drejtim tjetër. Unë shkova në shtëpi dhe atë ditë nuk u takuam me njëri-tjetrin. Po atë ditë unë mora vesh se ishin vrarë Viron Curri dhe Arjan Paja, ndërsa Marseli ishte plagosur dhe e kishin çuar në spital në Tiranë. Të nesërmen u takuam tek shtëpia e Plarentit, ku ishte edhe Luli. Ai më tha: “Si e humbe fare, që e fute makinën në ujë, po s`ka gjë se e kishe për herë të parë”. Pas dy ditësh jemi takuar përsëri tek shtëpia e Plarentit, ku kemi qenë unë, Plarenti, Luli, Iliri dhe Klodi. Aty filluam të diskutonim rreth ngjarjes. Unë mësova se ata kishin qëlluar të katërt dhe Iliri tha në bisedë: “Desha të kthehesha të qëlloja përsëri mbi Marselin, por vura re se dera e makinës ishte e hapur dhe Marseli ishte në pozicion të shtrirë. Kujtova se ai kishte vdekur”.
Atentati ndaj Colit
Unë në atë kohë përdorja “Lancia Tema”, që i kisha vënë targat e fuoristradës së Lulit. Ndërkohë, mbaroja çdo punë që më thoshte Luli, shoqëroja familjarët e tij në pazar dhe për punë të ndryshme. Një ditë, nga fillimi ose mesi i nëntorit 1998, nuk më kujtohet data e saktë, unë dola me të fejuarën time në një restorant. Pasi mbaruam së ngrëni, rreth orës 21.30, u nisa për të çuar të fejuarën në shtëpinë e saj, në një pallat në kat të parë tek fusha e druve. Unë ndalova makinën në kryqëzimin tek fusha e druve dhe po bisedoja prej 5 minutash me të fejuarën në makinën e ndezur. Në një moment unë vura re se përballë me makinën time kishte ndaluar një “Benz” i bardhë 240, i cili më lëshoi dritat e gjata dhe ishte 10 metra larg meje. Unë nuk i kushtova vëmendje. Në momentin që makina lëshoi dritat e gjata u nis në drejtimin tim dhe kur ishte 2-3 metra larg meje pashë që shoferi ishte me kapuç, por nuk e kishte fytyrën e mbuluar. E pashë vetëm si siluetë, ishte i dobët dhe i imët. Në atë moment unë pashë tek xhami i pasmë nga prapa shoferit një grykë arme që nxirrte flakë dhe më qëlluan. Menjëherë u shtriva në sedilje nga ana e të fejuarës dhe disa plumba më kapën tek gishtat e dorës së majtë, në krahun e majtë, tek këmba e majtë dhe tek vithet. Një plumb më kapi tek zorra e trashë. “Benz”-i i bardhë nuk ndaloi fare. Kur më qëlloi mua ngadalësoi shpejtësinë dhe pasi u qëllova, iku në drejtim të shtëpisë së shtetasit Erion Lame. Vura re që edhe e fejuara ishte plagosur në krahun e djathtë. Erdhi policia dhe na çoi në spital. Dua të sqaroj se atë natë, “Lancia” kishte targat e fuoristradës së Lulit, të cilat ishin DR, numrat nuk më kujtohen. Këto targa m`i ka dhënë Luli dhe më ka thënë se janë të fuoristradës time që kam pasur më parë. Në spital kam qëndruar rreth 20 ditë, në Durrës, tek kirurgjia e vjetër. Në kohën që isha në spital, mua më erdhën e më takuan të afërm të Lulit. Kur dola nga spitali, shkova në shtëpinë time. Aty erdhi e më takoi Luli, Klodi, Iliri dhe Plarenti. Deri në atë moment, unë nuk e dija se kush më kishte qëlluar me saktësi, vetëm dyshoja tek grupi i Marselit. Iliri më tha që: “A e ke dorën e djathtë në rregull? Sa ta kesh në rregull, mos e vrit trurin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›