Ekzekutori i mjekut tentoi të vriste veten pas krimit
DURRES/ OERD ULQINI
Pasi ka ekzekutuar mjekun Fatmir Tha-çi, me pesë plumba pistolete në kokë dhe trup, e ka drejtuar armën në tëmthin e tij, por këmbëza nuk ka realizuar qitje, pasi nuk kishte më plumba. Teksa e ka pasur të pamundur të kryente vetëvrasjen, Ali Lorja ka hedhur armën e tij mbi pellgun e gjakut, duke pritur me qetësi prangat e policisë, pikërisht aty në sallën e radiologjisë, ku kishte përfunduar edhe jeta e ish-mikut të tij, 55-vjeçarit Thaçi. Burime nga grupi hetimor thanë se autori kishte planifikuar të vriste mjekun dhe më pas veten, por kur ka shkrepur pistoletën në kokën e tij, ajo kishte qenë bosh. Pas kësaj atentatori ka vendosur të vetëdorëzohet në polici. I janë dashur plot tre ditë hetuesve për të përcaktuar me saktësi se çfarë ndodhi në ato 30 sekonda, të orës 9 e 30 minuta të së premtes së kaluar në spitalin e Durrësit. Konkluzioni i hetuesve mbi planifikimin e vrasjes së radiologut Fatmir Thaçi dhe vetëvrasjes së tentuar prej tij, duket se përkon edhe me thëniet e dëshmitarëve, që panë Lorjen t'i drejtonte armën vetvetes. Akt-ekspertiza ka saktësuar se nga arma e krimit janë zbrazur të gjitha plumbat, me kalibër 7.62 mm. Tre ditë pasi kreu krimin i pandehuri Ali Lorja është përballur me togat e zeza të gjykatës së Faktit në Durrës, të cilët i komunikuan atij masën e sigurisë "arrest në burg". I veshur me një këmishë të errët, pantallona ngjyrë gri dhe me këpucë serioze Ali Lorja nuk e kishte aspak pamjen e një vrasësi. Ai gjatë të gjithë jetës së tij 46-vjeçare nuk ka pasur kurrë asnjë precedent penal. Në të parën herë që përballej me gjykatën Lorja ka shfaqur shenja pendimi për aktin e kryer. Gjatë seancës së shkurtër të masës së sigurisë ai nuk ka folur asnjë fjalë të vetme, teksa gjatë të gjithë kohës ka qëndruar në heshtje, me duar në kokë dhe me shikimin e ngulitur përtokë, shenja këto të qarta pendese. Në emër të tij ka folur pala mbrojtëse. Lorja ishte tronditur shumë shpirtërisht nga humbja e shpejtë dhe e parakohshme e gruas dhe e babait të tij. Këtë fakt që e çoi në krim e ka pranuar vetë i pandehuri në deponimin e parë në polici, pak orë pas arrestimit. Kërkesën e avokatëve për masë më të butë shtrënguese e hodhi poshtë prokurorja e çështjes Elena Bakëllbashi, e cila tha se: "Vepra penale e konsumuar nga i pandehuri Ali Lorja ka një rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndaj masa shtrënguese ndaj tij duhet të jetë arresti me burg". Trupi gjykues i kryesuar nga Shpëtim Reka ka aprovuar kërkesën e organit të akuzës, duke e lënë kështu në burg Ali Lorjan. Vrasësi i mjekut do të mbetet në dispozicion të drejtësisë, në pritje të seancave të tjera, ku gjyqtarët dhe akuza presin që i arrestuari të zbardhë detajet që e çuan atë në ekzekutimin e mjekut Fatmir Thaçi. Ndaj të pandehurit Ali Lorja është formuluar akuza e "vrasjes me paramendim", pasi sipas Prokurorisë krimi kishte kohë që "bluhej" në mendjen e tij. Veç kësaj akuze të rëndë, ky i pandehur do të përgjigjet përpara drejtësisë edhe për veprën penale të "armëmbajtjes pa leje". Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura për mediat. Këto të fundit janë lejuar të futen në sallë vetëm për 20 sekonda kohë në të cilën fiksuan pjesë nga gjyqi i bujshëm.