Tafaj gati të marrë drejtimin e Tiranës
Tirana ka shqyrtuar edhe mbrëmë një sërë alternativash për pankinën e saj, por më shumë po insistohet që detyrën e trajnerit të ri të skuadrës ta ushtrojë drejtori teknik Alban Tafaj, i cili deri dje vonë ka hezituar ta marrë përsipër drejtimin e ekipit, nisur dhe nga fakti se skuadra po kalon një periudhë të vështirë. Gjithsesi, Tafaj u shpreh se do të kontribuonte për ekipin në çdo kohë, duke pranuar indirekt se do ta drejtojë skuadrën më tej, të paktën deri në momentin që drejtuesit mund të gjejnë një alternativë më të mirë. Gjithsesi, drejtuesit kanë diskutuar gjatë për kandidaturën e tij dhe në një farë mase Tafajit i është bërë dhe "presion" që të marrë drejtimin e ekipit, me faktin se është personi që e njeh më mirë se kushdo tjetër grupin dhe mund të rezultojë i suksesshëm në javët e ardhshme në kampionat. "Nuk e kam pranuar ofertën, për shkaqe të ndryshme, por duhet të kuptojmë se unë do të kontribuoj te Tirana dhe për një Tiranë të suksesshme. Nuk e di se di do të ndodhë, por janë drejtuesit që do të vendosin. Unë jam këtu për të ndihmuar Tiranën", tha Tafaj, që duket jo vetëm i pavendosur për të marrë drejtimin e skuadrës kampione, por edhe i paqartë se si do të operohet me grupin në javët në vazhdim. Stafi drejtues, duke përfshirë presidentin Halili dhe kryesinë, i kanë dhënë besimin drejtorit teknik që të veshë tutat e trajnerit, duke i dhënë garanci madje për mbështetje të fuqishme. Tri javët e fundit të kampionatit të kaluar Tafaji udhëhoqi skuadrën në tri fitore radhazi, duke i dhënë titullin kampion dhe duke fituar titullin e parë kampion në karrierën e tij si trajner.