I dyshuari për vrasje kërcënon prokurorët
TIRANE - Një 33-vjeçar i dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të një fëmije 3-vjeçar në mars të këtij viti, është arrestuar në sallën e gjyqit, pasi ka kanosur prokurorët e Tiranës, Gjon Kodra dhe Etien Kapo duke artikuluar kanosje edhe ndaj gjykatës. Bexhet Vogli, i cili ndodhej me masën "arrest shtëpie", të shtunën në Gjykatën e Tiranës, në seancën e radhës që shtyhej për ngjarjen që ai akuzohet bashkë me të vëllain, i është sosur durimi nga zvarritjet në gjykatë. Teksa gjyqtari ka kërkuar sërish shtyrjen e gjyqit, Vogli nuk ka nguruar të shprehet me fjalë kërcënuese ndaj prokurorëve që ndodheshin në sallën e gjyqit. "Kjo drejtësi duhet shkrirë", ka kanosur ai dhe kaq ka mjaftuar që nga arrest shtëpie ai të kthehet sërish në qeli, ku ndodhej edhe vëllai i tij Sali Vogli. Oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit e kanë arrestuar me akuzën e "kanosjes së gjykatësit apo prokurorit", por mësohet se ai i është rikthyer sërish arrestit në shtëpi. Burimet shpjeguan se Vogli nuk ka kërcënuar drejtpërsëdrejti prokurorët Kodra dhe Kapo, por i është drejtuar drejtësisë në përgjithësi. Ngjarja për të cilën akuzohet Bexhet Vogli dhe vëllai i tij Sali Vogli, ka ndodhur më 12 mars të këtij viti në Shkozë të Tiranës. Sipas kërkesës për gjykim që po shqyrtohet aktualisht në Gjykatën e Faktit, dy vëllezërit Vogli kanë kryer veprën penale të "vrasjes nga pakujdesia" të djalit 3-vjeçar me inicialet K.S. dhe "dhunimit të banesës" të Ilir Faslliut. Sipas kësaj dosjeje, mësohet se dy vëllezërit Vogli dhe 40-vjeçari Faslliu janë fqinjë dhe rruga për në shtëpinë e familjes Vogli kalon nga dera e shtëpisë së familjes Faslliu. Dy vëllezërit Vogli në rrugën që i dërgonte ata në banesën e tyre ecnin shpejt me makinën e tyre të tipit "Benz", duke sjellë pakënaqësinë e fqinjit Faslliu. Në mesditën e datës 12 mars 2009, në kohën që vëllezërit Vogli po kalonin me makinën e tyre me shpejtësi në rrugën e lagjes "Ali Demi", e njohur si zona e "Shkozës", Faslliu ia ka prerë rrugën duke i kërkuar të ulin shpejtësinë. Por vëllezërit kanë shkëmbyer fjalë fyese me 40- vjeçarin, që ka degjeneruar në konflikt verbal mes tyre. Dy të rinjtë në sherr e sipër kanë hyrë brenda ambienteve të shtëpisë së Faslliut duke u grindur, pa e vënë re që në rrugë kishin shkelur me këmbë një fëmijë të moshës 3 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. e.d