E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpresë për fituesit nën 6, sot regjistrim deri në 18:00

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Tjetër shpresë për studentët e Vlorës, të cilët nuk u regjistruan javët e fundit për shkak të mesatares nën 6. Ministria e Arsimit ka vendosur që afati i regjistrimit për ta të skadojë në orën 18:00 të datës 6 tetor. Ky vendim është marrë dhe bërë i njohur paraditen e djeshme, për t’u dhënë kohë studentëve që fituan në degë të ndryshme të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës të mund të regjistrohen zyrtarisht. “Privilegji” për këta studentë bëhet pas mosmarrëveshjeve të Universitetit të Vlorës me Ministrinë e Arsimit. Fillimisht të rektorit Tanush Shaska me MASH, e së fundi të rektorit me senatin e universitetit, për të mos pranuar këta studentë. Nisur nga kjo situatë, studentët nuk kanë mundur të mësojnë se dita e diel ishte caktuar për regjistrimin e emrave të tyre. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit doli me një deklaratë, duke pohuar se ditën e martë, deri pasdite do t’u jepet mundësia maturantëve fitues për t’u regjistruar zyrtarisht. Ndërsa në Vlorë, gjatë ditës së djeshme kanë qenë të paktë të rinjtë që janë ndodhur para universitetit për t’u interesuar për fatin e tyre. Në sekretaritë e universitetit ka pasur maturantë fitues, të cilët kanë kërkuar të regjistrohen. Për personat që janë paraqitur për regjistrim në shkollë sekretaret e universitetit kanë mundur t’u shënojnë vetëm emrat, por pa i regjistruar zyrtarisht dhe pa u kërkuar dokumente të tjera të nevojshme. Ato janë shprehur se: “Ne po ju regjistrojmë emrat. Nëse do të kemi një urdhër të dytë nga rektorati apo nga ministria do t’ju thërresim për të paraqitur dokumentet për regjistrim”. Sipas sekretareve ka shumë shpresë për t’i regjistruar studentët që kanë ngelur pa u regjistruar sepse numri i tyre tashmë mund të jetë i ulët për shkak se mund të jenë regjistruar në shkolla të tjera. Deri dy ditë më parë, i gjithë stafi i universitetit “Ismail Qemali” ishte kundër pranimit të studentëve fitues me mesataren e ulët, pasi sipas tij ishte kriter që do të bëheshin pjesë e këtij institucioni arsimor vetëm ata me mesatare mbi 6. Por, Shaska ndryshoi mendim, duke e argumentuar se do të tolerohej për këtë vit, me qëllim që Ministria e Arsimit të respektojë autonominë e plotë të universitetit në vitet në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›