Divorci Inva Mula-Pirro Çako, debat për djalin
Armand Bajrami
Sopranoja e njohur Inva Mula dhe kantautori Pirro Çako, nuk dhanë një përgjigje për kujdestarinë e djalit pas gjyqit të divorcit në Faktin e Tiranës. Në të tilla kushte, duket se ai që do të "ndajë shapin nga sheqeri" do të jetë vetë djali i tyre, i cili do të zgjedhë prindin me të cilin do të jetojë. Të përfshirë prej shtatë muajsh në procedurat e divorcit bashkëshortor, dy personazhet e njohur të artit, ndryshe nga çfarë pretenduan një seancë më parë, nuk kanë arritur të bien dakord se cilit do t'i besohet kujdestaria e fëmijës së lindur nga martesa e tyre. Në Gjykatën e Tiranës, secili prej tyre pretendon të përfitojë kujdestarinë prindërore. Ndërsa gjykata, nga ana e saj, ka caktuar dje një psikologe, e cila do të kërkojë mendimin e fëmijës për të vendosur më pas edhe "kujdestarin" e tij.
KUJDESTARIA
Pika më e vështirë në procesin e divorcit mes sopranos së famshme Inva Mula dhe bashkëshortit të saj, kantautorit Pirro Çako, ishte caktimi i kujdestarisë së djalit. Në seancën e djeshme, asnjë prej anëtarëve të çiftit Çako-Mula nuk ishin të pranishëm, ndërsa interesat e tyre përfaqësoheshin nga avokatët mbrojtës. Burime pranë gjykatës sqaruan dje se seanca që zgjati rreth një orë e gjysmë u karakterizua nga debate mes palëve. Mësohet se nga të dyja palët është ngritur i njëjti pretendim, ai i të pasurit kujdestarinë e djalit nga secili prej klientëve të tyre. E gjendur në kushtet kur të dyja palët paraqesin të njëjtin pretendim, nga togat e zeza të gjykatës është vendosur që me anën e një psikologu të pyetet vetë djali i çiftit Çako-Mula. Bëhet e ditur se psikologu do të shqyrtojë dhe vlerësojë kushtet në të cilat pritet të jetë fëmija pas përfitimit të kujdestarisë të çdonjërit prind. Psikologu do të vlerësojë se me cilin nga të dy prindërit do të ishte më i përshtatshëm qëndrimi i djalit të mitur. Gjithashtu, psikologu do të kërkojë edhe mendimin direkt të fëmijës për prindin me të cilin dëshiron të jetojë. Në përfundim të seancës së djeshme, gjykata caktoi datën 21 si seancën e radhës, ku e pranishme do të jetë edhe psikologia e betuar dje.
PROCESI
Seanca e parë e divorcit "VIP" në Gjykatën e Tiranës u zhvillua në 22 prill të këtij viti. "Nismëtare" e përballjes në sallën e gjyqit ishte sopranoja Inva Mula, e cila në 2 prill depozitoi në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit një padi, ku kërkonte divorcin nga bashkëshorti i saj, me pretendimin se "largësia e kishte bërë martesën e tyre të pakuptimtë". Seanca e djeshme ka qenë seanca e nëntë në radhë, ndër seancat e këtij procesi. Gjatë shqyrtimit të kërkesës janë kaluar fazat e tjera, ndërsa gjithçka ka "ngecur" në caktimin e kujdestarisë së fëmijës së tyre.