Contador dënohet për një vit

Federata Spanjolle e Çiklizmit ka vendosur të suspendojë kampionin e Tour de France, Alberto Contador për një vit, pas rezultatit pozitiv të tij në një doping test gjatë garës së vitit të kaluar.
“Alberto Contador ka marrë një njoftim për dënim njëvjeçar të propozuar nga Komiteti i Federatës spanjolle”, thuhej në komunikatën e lexuar nga zëdhënësi i çiklistit, Jacinto Vidarte. Contador, i cili ka kërcënuar se do të përfundojë karrierën nëse dënohet, ka 10 ditë kohë për t’u ankuar para vendimit përfundimtar nga RFEC.
28 vjeçari do të mbajë një konferencë për shtyp të premten në Mallorca, ku është duke stërvitur me ekipin e tij Saxo Bank, shtoi Vidarte.
Ai nuk përmendi nëse Federata po ashtu ka vendosur t’i marrë atij titullin e fituar në Tour de France 2010. Contador më parë ka qenë i suspenduar në afat të pacaktuar nga gushti, pasi u bë e ditur se ai u testua pozitiv për një substancë të palejuar gjatë triumfit të tij të tretë në Tour de France. Ai mohoi fajin duke thënë se rezultati i testit ishte kontaminim me ushqim.