Kuqi largohet nga Swansea

Swansea City ka konfirmuar se Shefki Kuqi është i lirë që ta gjejë një klub tjetër, pasi palët e shkëputën kontratën, e cila do të zgjaste deri në fund të sezonit. Futbollisti kosovar i ishte bashkuar Swanseas 12 muaj më parë nga TuS Koblenz, duke nënshkruar kontratë për 18 muaj. Me ekipin anglez, veterani kosovar realizoi 7 gola në 24 paraqitje.
Mirëpo, ai u huazua për tre muaj te rivali i Championship, Derby County. Por, me t’u kthyer te klubi nga Liberty Stadium, 34 vjeçari nuk po gjente hapësira, kështu që menaxheri Brendan Rodgers vendosi ta linte të lirë.
“Fatkeqësisht, punët nuk shkuan si duhet për Shefkiun këtë sezon, sepse ai nuk luajti sa dëshironte. Mirëpo, duhet cekur se ai gjithmonë është sjellë në mënyrë totalisht profesionale në fushë dhe jashtë saj. Ai është një person fantastik dhe ne i dëshirojmë çdo të mirë në sfidën e tij të radhës”, theksoi Rodgers për ueb faqen zyrtare të Swanseas.
Tash ish përfaqësuesi finlandez është lojtar i lirë dhe do ta kërkojë me qetësi klubin e ri, ku do të luajë në pranverë.