Stabilizohet Vëllaznimi
Në Vëllaznim është kthyer normaliteti. Më në fund, klubi gjakovar të enjten i ka kryer të gjitha obligimet ndaj futbollistëve. Kuqezinjtë ishin borxh ndaj futbollistëve të tyre nga dy rroga, problem ky i cili u zgjodh tashmë.
Këtë e ka bërë të ditur menaxheri i klubit gjakovar, Ahmet Morina. “Sot i kemi kryer komplet obligimet ndaj futbollistëve. I kemi pastruar të gjitha borxhet që kishim”, ka thënë Morina për Express.
Udhëheqësit e Vëllaznimit këtë radhë e mbajtën fjalën. Në fillim të javës, ata u patën premtuar futbollistëve se do t’i shlyenin borxhet kah e enjtja ose e premtja, gjë e cila edhe ndodhi.
Futbollistët kishin premtuar t’i nisnin përgatitjet të mërkurën, por vetëm me kush që t’u paguheshin rrogat të enjten dhe të premten. Tash duket se klubi gjakovar po sheh dritë dhe po i kthehet normalitetit.
Pasi e rregulloi punën me lojtarët që ka, Vëllaznimi në ditët e ardhshme pritet të planifikojë se ku ta vazhdojë fazën përgatitore para fillimit të sezonit pranveror.
Gjeraj e Isaja në Vëllaznim
Pas shlyerjes së borxheve ndaj futbollistëve dhe fillimit të përgatitjeve për stinorin pranveror, Vëllaznimi tani po mendon për përforcime. Madje, kuqezinjtë e kanë kompletuar të enjten transferimin e dy ish futbollistëve të Ballkanit, Robert Gjeraj e Denis Isaja.
Të dy këta lojtarë të premten do t’i bashkohen ekipit kuq e zi. Kështu ka pohuar menaxheri Morina, i cili paralajmëroi se skuadra gjakovare mund të përforcohet edhe me ndonjë futbollist tjetër gjatë këtij afati kalimtar.
“Robert Gjeraj dhe Denis Isaja të premten pritet të na bashkohen. Ata tashmë mund të quhen lojtarë të Vëllaznimit. Ndërsa, më pas do ta shikojmë mundësinë e transferimit edhe të ndonjë futbollisti tjetër. Jemi në bisedime me një mesfushor të ri”, deklaroi Morina.
Vëllaznimi e ka mbyllur pjesën e parë të kampionatit në Raiffeisen Superligë në pozitën e 10-të. Ekipi gjakovar është njëri prej më të rrezikuarve për të rënë nga elita e futbollit kosovar.