E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mavraj duhet të ketë durim

Nga Express më 28 janar 2011 në ora 11:24

Mërgim Mavraj i është bashkuar ekipit Greuther Furth vetëm një javë më parë. Mbrojtësi kosovar po mundohet të ambientohet me jetën e re dhe është në kërkim të një shtëpie të re.

24 vjeçari ndihet mirë në ekipin e ri, ku është pritur mjaft mirë. “Marrëdhënia ndërmjet lojtarëve është mjaft e mirë. Këtu nuk ndihem si lojtar i ri, pasi më duket sikur kam luajtur qe një kohë kështu. Jam i etshëm për të luajtur natyrisht. Atëherë do të ndihem me të vërtetë pjesë e këtij ekipi”, theksoi ish futbollisti i Bochum për tabloidin gjerman, bild.de.

Mirëpo, për këtë rast, Mavraj do ta ketë paksa vështirë. Ai duhet të ketë durim. Sepse, ka përpara mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Greuther Furth ka pësuar vetë 15 gola në 19 ndeshje në Bundesliga 2. një gjë të tillë nuk e ka bërë asnjë skuadër tjetër.

Në të njëjtën periudhë, vitin e kaluar, ky ekip kishte pësuar plot 33 gola, më shumë se dyfishin. Mavraj ka përpara dy mbrojtës kualitativë siç janë Kleine e Karaslawow. Për këtë, ai duhet ta presë rastin.

“Ata kanë luajtur shkëlqyeshëm në pjesën e parë të sezonit. Isha mjaftueshëm i qartë se për momentin nuk mund të luaj në formacionin e parë”, përfundoi qendër mbrojtësi kosovar, i cili iu bashkua Greuther Furthit gjatë këtij muaji, pasi u la i lirë nga Bochum, që nuk llogariste më në shërbimet e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›