Mos blini nga Wenger!

Më 1996, Arsene Wenger si trajner pak i njohur erdhi në bankinën e Arsenalit dhe në atë kohë vështirë se dikush do të kishte paramenduar që ai do të qëndronte në të edhe sot.
Me kalimin e viteve u bë i njohur për identifikimin e talenteve si dhe për politikën e kujdesshme të blerjeve. Përveç kësaj, ai di që nga futbollistët e tij të përfitojë tepër.
Janë së paku dhjetë shembuj që tregojnë se nuk ia vlen të blihet shtrenjtë nga Wengeri, pasi ata futbollistë nuk do të luajnë as për afër mirë si në Arsenal.
10. Më 2007, Thierry Henry për 24 milionë euro kaloi në Barcelonë
Në sezonin e parë ishte në nivel dhe bëri paraqitje solide. Por, dukej se asnjëherë nuk u adaptua në rolin e sulmuesit të krahut, pasi më parë luante në qendër.
Andaj, 24 milionë euro janë shumë për ndikimin e kufizuar që bëri një futbollist i madh si Henry.
9. Më 2005, Patrick Vieira për 20 milionë euro kaloi në Juventus
Ngjashëm si Henry, edhe Vieira në Juventus bëri paraqitje solide, edhe pse asnjëherë nuk u shfaq si futbollisti i Arsenalit që i vetëm e mbante mesfushën e ekipit.
Kjo më së tepërmi vërehej në ndeshjet evropiane, ku Juventus kishte vështirësi. Më pas kaloi në Inter dhe humbi krejtësisht.
8. Më 2001, Nelson Vias për 7 milionë euro kaloi në Inter
Vetëm Massimo Moratti i asaj kohe ishte i gatshëm të paguante 7 milionë euro për një mbrojtës 31 vjeç pa analizuar kualitetet e tij dhe faktin se kishte luajtur vetëm një sezon në shkallë të lartë.
Në Inter nuk luajti pothuajse fare dhe e ngrohu bankinën, derisa dy sezone më pas për shumë më pak u kthye prapa në Argjentinë.
7. Më 2008, Mathieu Flamini në skadim të kontratës kaloi në Milan
Interesim i madh e përcolli largimin e Flamini-së nga Arsenali. Ai ishte futbollist i rëndësishëm në mesfushën e Topxhinjëve dhe për shkak tij klubi largoi Gilberto Silvan.
Mirëpo, kërkesat e Flamini-së për pagë ishin të larta për Wengerin dhe ai kaloi në Milan. Por, edhe sot ende gjendet kryesisht në bankinë.
6. Më 2008, Alexander Hleb për 15 milionë euro kaloi në Barcelonë
Sot gjendet në Birmingham City. Hleb në verën e vitit 2008 shprehu dëshirë për sfidë të re në karrierën e tij dhe kaloi te Barcelona.
Pas një fillimi të penguar nga lëndimet dhe depërtimit të të riut Pedro në pozitën e tij, reprezentuesit bjellorus nuk i mbeti asgjë tjetër përveç të kërkonte angazhim te ndonjë klub më i vogël.
5. Më 2009, Kolo Toure për 19 milionë euro kaloi në Manchester City
Futbollisti, i cili pritej të zëvendësonte Sol Campbellin dhe për një kohë të gjatë të ishte lider i mbrojtjes së Arsenalit, u josh nga paratë dhe shkoi në Manchester City.
Mirëpo, reparti defansiv i ekipit nga Eastlands nuk duket aspak i sigurt dhe menaxheri Roberto Mancini ka filluar të mendojë për transferimin e ndonjë qendërmbrojtësi të ri.
4. Më 2000, Emmanuel Petit për 15 milionë euro kaloi në Barcelonë
Futbollisti francez, i cili më 1998 me golin e tretë vulosi finalen e Kampionatit botëror kundër Brazilit, për vite me radhë ishte njëri prej anëtarëve kryesorë në mesfushën e Arsenalit së bashku me Patrick Vieiran.
Kur erdhi oferta nga Barcelona, ai kaloi në Nou Camp ku luajti aq mirë sa që sezonin e ardhshëm u kthye në Premierligë, kësaj radhe te Chelsea.
3. Më 2000, Marc Overmars për 40 milionë euro kaloi në Barcelonë
Pas largimit të ikonës Luis Figo, Barcelona vendosi për transferimin e Marc Overmarsit. Ai kushtoi 40 milionë euro dhe nga kjo pritej që holandezi të përcillte shkallën e paraqitjeve të Figos.
Në vend të kësaj, kohën më të madhe e kaloi në spitale, ndërsa u pensionua nga futbolli si 30 vjeç.
2. Më 1999, Nicolas Anelka për 35 milionë euro kaloi në Real Madrid
Futbollisti, i cili si junior erdhi në Arsenal, shpejt tregoi talentin e tij të sulmuesit dhe ra në ‘grepin’ e Real Madridit, që pagoi 35 milionë euro për transferimin e tij.
Mirëpo, ai asnjëherë nuk shkëlqeu në Madrid dhe pjesën tjetër të karrierës së tij e kaloi duke u shëtitur në klube të ndryshme.
1. Më 2009, Emmanuel Adebayor për 30 milionë euro kaloi në Manchester City
Kur kemi parasysh pagën javore prej 165 mijë funte, Adebayor është shitja më e shtrenjtë nga radhët e Arsenalit.
Drejtuesit e Manchester Cityt nuk kishin imagjinuar se ylli togolez është specialist për krijimin e përçarjeve në zhveshtore.
Përveç kësaj, ai pa fije vetëkritike do të bëjë me gisht në drejtim te bashkëlojtarët për humbje e lojë të dobët. Gjatë këtij afati kalimtar të janarit, Adebayor u huazua në Real Madrid.