E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen Zhjeqi e Fetahu

Arben Zhjeqi dhe Enis Fetahu kanë vendosur t’i rikthehen Trepçës, me të cilën ishin ndarë me të përfunduar pjesa e parë e kampionatit. Kampionit në fuqi të hënën do t’i rikthehet edhe portieri boshnjak, Suad Pertinac. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 28 janar 2011 në ora 11:32

Kampioni aktual i Kosovës në futboll, Trepça, dita-ditës po këndellet, pas shumë problemeve të brendshme, shkaku i krizës financiare.

Klubi mitrovicas po bën përpjekje të mëdha që t’i mbajë futbollistët që i kishte në pjesën e parë të kampionatit, përkatësisht lojtarët të cilët akoma nuk janë angazhuar nëpër skuadra tjera.

Madje ‘Xehetarët’ tashmë ia kanë dalë ta rikthejnë në skuadrën e tyre mbrojtësin Arben Zhjeqi, e po ashtu edhe sulmuesin Enis Fetahu, të cilët ishin ndarë me këtë skuadër me të përfunduar stinori vjeshtor.

Po ashtu, drejtuesit e klubit gjelbër e zi e kanë bindur që të rikthehet në Mitrovicë edhe portierin boshnjak, Suad Pertinac.

Lajmin e ka konfirmuar vetë qendër-mbrojtësi i njohur kosovar Arben Zhjeqi, i cili ka kaluar nëpër një formë të mirë me fanellën e Trepçës.

“Unë dhe Enisi kemi arritur marrëveshje me drejtuesit e klubit për vazhdimin e kontratave edhe për gjashtë muaj. Pra, deri në verë, unë dhe Enisi jemi futbollistë të Trepçës. Që të dy të premten do t’i bashkohemi ekipit në përgatitje për stinorin pranveror”, deklaroi Zhjeqi për Express.

Në anën tjetër, kryetrajneri i Trepçës, Nazmi Rama, ka konfirmuar se të hënën skuadrës së tij do t’i bashkohet edhe portieri boshnjak, Suad Pertinac.

“Pertinac ka arritur marrëveshje me drejtuesit e klubit për t’u kthyer në Trepçë, e po ashtu me të kam biseduar edhe unë. Ai më ka konfirmuar se të hënën do të na bashkohet në stërvitje”, theksoi Rama i cili po ashtu do të mund të llogaritë edhe në shërbimet e Bardhyl Kaçiut gjatë stinorit pranveror, pasi mesfushori nuk ia doli të angazhohet në ndonjë skuadër të huaj gjatë këtij afati kalimtar.

Që nga fillimi i kampionatit, Trepça është përballur me një situatë të vështirë financiare, e cila kishte ndikuar që edhe atmosfera në ekip të prishej. Në këtë mënyrë, kampioni në fuqi pjesën e parë të kampionatit e ka përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e pestë të tabelës së Superligës, me 24 pikë të tubuara, 15 më pak sesa kryesuesi aktual, Prishtina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›