Sezoni i fundit për Van der Sarin
Portieri i Mancherster United, Edwin van der Sar do të pensionohet nga futbolli në fund të këtij sezoni. 40 vjeçari u transferua në Old Trafford nga Fulham më 2005.
Ish reprezentuesi holandez ka bërë 245 paraqitje për Manchester Unitedin dhe i ndihmoi ekipit të fitojë tre tituj në Premierligë dhe Ligën e Kampionëve më 2998.
“Ka ardhur koha të përqendrohem më tepër në familjen time”, tha ai për www.sport-promotion.nl.
Van der Sar pranoi se kishte menduar rreth tërheqjes nga futbolli prej kur gruaja e tij Annemarie pësoi hemorragji të trurit në dhjetor 2009.
“Nuk mund të identifikoj një kohë kur mora vendimin. Të themi se më është sjellë në kokë nga momenti kur Annemarie pësoi sulm. Ajo luftoi dhe u rikthye. Ne vendosëm për një vit tjetër në Angli dhe qëndrim në Manchester United. Por, me kalimin e sezonit mendimet rreth lamtumirës filluan të shfaqen më tepër”, u shpreh ish portieri i Ajaxit dhe i Juventusit.
Van der Sar u pensionua nga futbolli ndërkombëtar pas Euro 2008, para se të kthehet përkohësisht për t’i ndihmuar selektorit të Holandës, Ber van Marwijk, në dy ndeshje kualifikuese për Kampionatin botëror 2010. Ai u pensionua përfundimisht me 130 paraqitje për Holandën.